Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të mërkurën ka bërë të ditur se autoritetet kanë ndërmarrë veprime për mbylljen e një kompanie paralele të Serbisë që vepronte në komunën e Shtërpcës.
Kompania “Novo Javno Preduzeće”, e cila ofronte shërbime të ujësjellësit dhe menaxhimit të mbeturinave, është ndërprerë nga operimi pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Rizvanolli deklaroi se institucionet paralele që veprojnë nën direktiva të Beogradit nuk kanë vend në territorin e Kosovës.
“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.
Ajo shtoi se Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të punojë për sundimin e ligjit dhe shërbimin e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
Ministrja falënderoi Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe u bëri thirrje organeve të hetuesisë që të nisin hetime të menjëhershme rreth dëmeve dhe përfitimeve të mundshme të shkaktuara nga kjo kompani e jashtëligjshme.