Njësia rajonale në Prishtinë e Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Policinë e Kosovës, siç bëhet me dije, pas pranimit të informacioneve relevante, hetimeve të kryera disa javore dhe bashkëpunimit aktiv me qytetarët ka realizuar sot një operacion policor të koduar me emrin “Poliklinika” dhe si rezultat janë arrestuar 2 persona të dyshuar; një mashkull/shqiptar kosovar dhe një femër serbe kosovare.
“Po ashtu nga inspektorati kompetent nga Ministria e Shëndetësisë është mbyllur një poliklinikë. Personat e arrestuar dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’, ‘Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’, ‘Mashtrim’ dhe ‘Legalizim i përmbajtjes së rreme’ të specifikuara me kodin penal të RKS-së, duke keqpërdorur dokumente dhe diploma me qëllim që poliklinikën ta licencojnë në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka thënë për Koha.net, Daut Hoxha, zëdhënësi në Policinë e Kosovës.
Me vendim te prokurorit kompetent dy te dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajte për 48 orë.