Zyrtarët e Pentagonit raportohet se i ofruan presidentit amerikan Donald Trump një listë të opsioneve të tjera më pak “të rënda” për trajtimin e tensioneve të përshkallëzuara me Iranin.
Dhe sipas mediave amerikane, përcjell Telegrafi, Trump përfundimisht zgjodhi opsionin për të goditur Qassem Soleimani, një zyrtar të lartë ushtarak iranian, i cili u vra në një sulm ajror amerikan të premten.
Siç ka raportuar The New York Times, zyrtarët e Pentagonit i ofruan Trump një “menu” fillestare të mundësive për trajtimin e përshkallëzimit të dhunës së drejtuar nga Irani, kundër synimeve amerikane në Irak.
Në këtë drejtim, atij iu dha mundësia të godiste anijet iraniane, objektet e raketave ose grupet e milicisë të mbështetura nga Irani në Irak, sipas The Times.
Zyrtarët ofruan mundësinë e vrasjes së Soleimanit kryesisht për t’i bërë opsionet e tjera të duken më tërheqëse, gjë që sipas The Times “është një taktikë e zakonshme që zyrtarët amerikanë përdorin me presidentët”.
Trump, siç thuhet më tej, fillimisht zgjodhi për të sulmuar grupet e milicisë. Kështu, të dielën, ushtria amerikane goditi tre lokacione në Irak dhe dy në Siri që kontrolloheshin nga milicia e mbështetur nga Irani.
Por, pasi protestuesit që mbështesnin një milici të mbështetur nga Irani sulmuan ambasadën në Bagdad të martën, Trump shkoi për opsionin “më ekstrem” për të synuar Soleimanin.
Gjithsesi, shkruan më tej, mediumi në fjalë, presidentët e mëparshëm George W. Bush dhe Barack Obama vendosën kundër shënjestrimit të Soleimani – sepse ishte shumë “provokuese”.
Siç edhe tanimë është bërë e ditur, Trump autorizoi sulmin ndërsa Soleimani po linte aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit në Irak.
Soleimani, arkitekti i operacioneve klandestine dhe ushtarake të Teheranit, si shef i forcave të Qudsit të Gardës Revolucionare, u vra të premten në një sulm me dronë amerikanë derisa gjendej në një kolonë në aeroportin e Bagdadit.
Si përgjigje, autoritetet iraniane thuhet se kanë bërë të ditur se do të ofrojnë një shpërblim prej 80 milionë dollarësh për kokën e presidentit amerikan Donald Trump, pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani.
Sipas Mirror, një “ofertë e tillë” është bërë gjatë transmetimit televiziv të funeralit nga transmetuesit zyrtarë shtetërorë.
Veç kësaj, Irani ka bërë të ditur se nuk do të respektojë me asnjë kufizim të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, njoftoi të dielën televizioni shtetëror i vendit.