Mijëra jetë mund të shpëtoheshin nga Covid-19 nëse karantina në Britani do të ishte vendosur vetëm një javë më herët, ka pohuar një këshilltar shkencor i qeverisë atje. Sir Ian Boyd, anëtar i panelit SAGE të kryeministrisë, pranoi se do të kishte pasur ndryshim të madh nëse ministrat do të vepronin më shpejt për të luftuar shpërthimin epidemik.
Shifrat e Departamentit vendas të Shëndetit tregojnë se 36.042 Britanikët kanë vdekur pas testimit pozitiv për koronavirusin që filloi të përhapet me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar në muajin mars. Por numri i vërtetë i viktimave nga kjo sëmundje, sipas shtypit britanik, mendohet se mund të jetë tek 60.000 kur merren parasysh edhe vdekjet e dyshuara prej koronavirusit apo ato që janë shkaktuar prej tij në mënyrë indirekte.
Pohimi i Sir Ian vjen pasi studime të publikuara këtë javë treguan se një izolim më i hershëm i vendit do të kishte shpëtuar shumë jetë. Sipas tij, nëse rregullat do të ishin bërë të detyrueshme në 16 mars, bilanci i jetëve të humbura mund të ishte kufizuar në 11.200. Kryeministri Boris Johnson e mbylli Anglinë në 23 mars, duke i ndaluar njerëzve takimet me njëri tjetrin apo udhëtimet e panevojshme. Britania ishte një nga vendet e fundit në Europë që vendosi karantinën.