Fjalë Kyçe

Mijëra persona mblidhen në Vatikan për varrimin e Papa Benediktit XVI

Mijëra persona mblidhen në Vatikan për varrimin e Papa Benediktit XVI

Në Vatikan ka nisur ceremonia e varrimit të Papa Benediktit XVI, i cili vdiq më 31 dhjetor në moshën 95-vjeçare.

Mijëra persona janë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për varrimin Papës Emeritus Benedikti XVI, teologut gjerman, i cili bëri histori duke u tërhequr nga drejtimi i Kishës Katolike.

Ceremoninë e varrimit po e udhëheq Papa Françesku.

Policia italiane ka thënë se pritet të mblidhen deri në 100.000 persona në sheshin Shën Pjetri, raportuan mediat italiane.

Në këtë ngjarje po marrin pjesë krerë të shteteve dhe përfaqësues të mbretërive, pavarësisht se Benedikti kishte kërkuar që varrimi i tij të mos ishte një ngjarje e madhe. Vetëm Italia dhe Gjermania janë ftuar që të dërgojnë delegacione zyrtare dhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe ai italian, Sergio Mattarella, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Përveç tyre, në ceremoninë e varrimit janë ftuar edhe krerët e disa qeverive, katër kryeministra dhe dy delegacione të familjeve mbretërore. Po ashtu, në ceremoninë e varrimit merr pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, së bashku me përfaqësuesin e Kosovës për Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari.

Sipas ritit të varrimit, arkivoli i Benediktit do të dërgohet nga bazilika dhe do të vendoset para altarit, ndërsa besimtarët do të thonë lutje. Ky ritual është i bazuar në kodin që është përdorur edhe për papët e tjerë që kanë vdekur, por në këtë rast janë bërë disa modifikime, pasi Benedikti nuk ishte papë në detyrë kur vdiq.

Pas meshës, arkivoli prej qiparisi i Benediktit do të vendoset brenda një arkivoli prej zinku, më pas në një arkivol të punuar me dru lisi dhe do të varroset në varrezat që gjenden nën bazilikë, ku dikur gjendej edhe varri i Papa Gjon Palit II. Më pas, arkivoli i Benediktit do të zhvendoset në katin e sipërm, në bazilikën kryesore.

Afër 200.000 persona bënë nderime para arkivolit të Benediktit gjatë tre ditëve të kaluara më Bazilikën e Shën Pjetrit.

Ish-kreu i Kishës Katolike, emri i vërtetë i së cilit ishte Joseph Ratzinger, vdiq më 31 dhjetor në moshën 95-vjeçare. Ai konsiderohej si një prej teologëve më të mirë të shekullit XX dhe e kaloi jetën e tij duke iu përmbajtur doktrinës së Kishës.

Benedikti do të mbahet mend në histori për një akt të veçantë e revolucionar që ndryshoi të ardhmen e papatit: Ai u pensionua, duke u bërë papa i parë në gjashtë shekuj që u tërhoq nga drejtimi i Kishës Katolike.

Papa Françesku e ka vlerësuar lart kurajën e Benediktit për t’u tërhequr në momentin kur ai besoi se nuk kishte më fuqi për të udhëhequr Kishën. Sipas Françeskut, ai “hapi derën” që edhe papët e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.

Françesku tha se për vete ka lënë udhëzime të shkruara për kushtet, në të cilat ai po ashtu do të jepte dorëheqje nëse nuk do të ishte i aftë të vazhdonte punën.

Benedikti u zgjodh papë më 2005 në moshën 78-vjeçare dhe u bë papa më i vjetër që u zgjodh në krye të Vatikanit. Ai udhëhoqi Kishën për pothuajse tetë vjet dhe më 2013 dha dorëheqje.

Ai u bë Papa i parë që u dorëhoq që nga viti 1415, kur nga drejtimi i Kishës ishte tërhequr Gregori XII.

Trashëgimia e Papa Benediktit u dëmtua nga skandalet për abuzim seksual nga priftërinjtë. Më herët gjatë këtij viti, Benedikti pranoi se kishte bërë gabime gjatë trajtimit të rasteve të abuzimit kur ai ishte kryepeshkop i Mynihut gjatë viteve 1977-1982.

Ai kërkoi që priftërinjtë që përdhunonin fëmijë të ndëshkoheshin nga Selia e Shenjtë. Si kardinal dhe papë, ai miratoi legjislacione që rezultuan me shkarkimin e 848 priftërinjve nga viti 2004 deri më 2014. Megjithatë, të mbijetuarit e abuzimeve e mbajtën atë përgjegjës për skandalin dhe e akuzuan atë se kishte dështuar që të sanksiononte peshkopët.