Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është duke marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë, duke e përfaqësuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Ministri Shala në fjalën e tij, në këtë Samit, tha se Republika e Kosovës është duke bërë çdo ditë ndryshime në infrastrukturën ligjore që t’iu krijohen kushte sa më të mira investitorëve të huaj.
“Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke punuar çdo ditë në infrastrukturën ligjore për thithjen e investimeve të huaja direkte, për efektet e para pas fillimit të implementimit të Ligjit për Investime Strategjike”, tha Shala.
Ministri po ashtu ka treguar për mundësitë që i ofron Kosova për investitorët e huaj, duke treguar se Kosova ka punuar shumë në ndërtimin e infrastrukturës moderne, që do të mundësojë lidhjen me vendet e Ballkanit.
“Kosova tashmë ka autostradat më moderne, që mundësojnë lidhjen e Republikës së Kosovës me vendet e Ballkanit për kohë rekorde. Po ashtu kemi një rini jashtëzakonisht inovative, që e donë punën”, tha ministri.
Ministri bëri të ditur se janë duke punuar në reforma dhe në përmirësimin e ambientit në të bërit biznes.
Ministri po ashtu ka kërkuar që marrëveshjet rajonale të shikohen si një rrugë dy kahe dhe të respektohen nga të gjitha palët e involvuara.
Ky Samit po mbahet në kuadër të procesit të Berlinit, me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e procesit të integrimit evropian