Fjalë Kyçe

Ministria e Bujqësisë fton për aplikim për grante

Ministria e Bujqësisë fton për aplikim për grante

Ministria e Bujqësisë fton për aplikim për grante, që do të jetë i hapur deri më 29 nëntor. Nga ministria bëjnë me dije se me qëllim të përkrahjes dhe zhvillimit të bujqësisë, këtë vit pritet të ndahen mbi 24 milionë e 600 mijë euro.

Nga Federata e Bujqve thonë se janë të kënaqur me shumën që do të ndahet për grante. Megjithëkëtë, sipas tyre, thirrja për aplikim është vonuar.

Për dallim nga vitet paraprake dhe përkundër paralajmërimit të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, në fillim të gushtit, se së shpejti do të hapet thirrja për aplikim për grante, kjo ka ndodhur tek në fillim të këtij muaji.

Aplikimi në kuadër të Programit për Zhvillim Rural – Grante 2023 për të gjithë fermerët, agro-përpunuesit dhe bizneset rurale në gjithë territorin e Kosovës, do të zgjasë deri më 29 nëntor. Me qëllim të përkrahjes së fermerëve dhe zhvillimit të bujqësisë, këtë vit pritet të ndahen 24 milionë e 627 mijë euro, kanë bërë të ditur nga Ministria e Bujqësisë. Tutje, zyrtarë nga kjo ministri, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën theksojnë disa nga risitë e programit për grante për këtë vit.

“Është larguar kriteri i ndalimit të investimeve në objektet nën hipotekë te përpunuesit; Për herë të parë do të përkrahet kultura e gështenjës; Përkrahja për shtimin e sipërfaqeve me rrush nga 450 mijë euro në 1 milion euro, një rritje e përkrahjes për 122%, e cila do të mundësojë rritjen e së paku 50 hektarëve të rinj me rrush dhe përfitimin e 750 tonë më shumë rrush në vit;Prodhimi i qumështit të lopës, nga 1.5 milion në 5 milionë euro, një rritje prej 233 %, e cila do të mundësojë një rritje të sasisë së qumështit për mbi 40,000 litra në ditë; Prodhimi i verës, nga 300 mijë në 700 mijë euro, një rritje prej 133 %; Punësimi i studentëve dhe të sapo-diplomuarve. Për secilin student të angazhuar Ministria do të ndajë një përkrahje në vlerë prej 2,400 eurosh, etj”, kanë thënë nga Ministria e Bujqësisë.

Ndarja e mbi 24 milionë eurove grante për bujqit është shumë e mirëseardhur, thotë për Radio Kosovën kryetari i Federatës së Bujqve, Tahir Tahiri, sipas të cilit, shpallja e thirrjes për aplikim u vonua.

‘Në shumë sektorë ku bujqit mund të aplikojnë për ndonjë grant, është vonë. Për shembull, vonë është për pemëtari, apo edhe për ata bujq që aplikojnë për ndërtimin e ndonjë objekti që i dedikohet fermës apo nevojave të tjera bujqësore, është vonë. Andaj më mirë do të ishte të shpallej thirrja për aplikim diku në muajin maj apo qershor dhe bujqit ta shfrytëzonin kohën e mirë të verës për realizimin me sukses të projekteve për çka aplikojnë”, tha ai.

Të interesuarit, mund të aplikojnë për grante në linkun “Aplikimi online për PZHR”, në ueb faqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.