Shoqata Sindikale e kontrollerëve të trafikut ajror, ka njoftuar se sot do të mbajë grevë 4 orëshe, për të vazhduar pastaj për ditën e premte nga ora 8:00 deri në ora 16:00, ditën e shtune nga ora 8:00 deri në ora 20:00.
E, ndaj këtij paralajmërimi ka reaguar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, shkruan Gazeta Alo.
Në reagim thuhet se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror, përkundër propozimit të marrëveshjes me shkrim nga ana e Ministrit Pal Lekaj. Në këtë memorandum mirëkuptimi janë të përfshirë kërkesat që Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka paraqitur pas përfshirjes së tyre në ligjin për pagat.
“E drejta e punëtorëve për grevë është e garantuar me ligjin në fuqi, por ajo duhet të zhvillohet brenda kornizave të ligjit për greva. Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Sipas ministrisë kjo grevë rrezikon të dëmtoj seriozisht operimet në ANP “Adem Jashari”
“Greva e cila po mbahet nga SINKON e ASHNA rrezikon të dëmtoj seriozisht operimet në ANP “Adem Jashari” gjë e cila mund të shkaktoj pasoja të mëdha për vendin tonë, në një fazë delikate për marrjen e përgjegjësive nga institucionet vendore të aviacionit civil”, thuhet më tutje në reagim.
“Prandaj, MIT edhe një herë ju bën thirrje SINKON të ASHNA që të rishqyrtojnë pozicionin e tyre dhe të pezullojnë grevën e nisur. MIT nën udhëheqjen e ministrit Lekaj është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj me qëllim të adresimit të të gjitha shqetësimeve të SINKON të ASHNA.
Lekaj u qëndron premtimeve se do të punojë në vazhdimësi deri në rregullimin e statusit të kontrollorëve ajror, prandaj pret reflektim nga këta të fundit’, thuhet në reagimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dërguar medieve./Gazeta Alo/