Fjalë Kyçe

Ministria lanson thirrjet për përkrahjen e librave e revistave

Ministria lanson thirrjet për përkrahjen e librave e revistave

Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen publike për përkrahjen financiare për botimin e librave për këtë vit, për blerjen e librave dhe për botimin e revistave letrare për këtë vit.

Të tri konkurset janë të njëjta në raport me vitet e kaluara.

Konkursi përjashton veprat, botimi i të cilave është përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës, tekste shkollore, doracakët e udhëzuesit dhe publikimet komerciale.

Sipas konkursit për revistat letrare do të përkrahen ato që kultivojnë vlera letrare, artistike e kulturore, si dhe revistat me përmbajtje të profilizuar të rëndësisë së veçantë.

Kusht për përkrahjen e revistave është profilizim përmbajtjesor, të jenë të botuara në vazhdimësi të paktën në dy vjetët e fundit dhe forma grafike e realizimi teknik.

Konkurset do të jenë të hapura deri në ditën e parë të marsit.

Më pas aplikimet do të shqyrtohen nga Këshilli i Librit, i cili i propozon listat tek ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, për aprovim.

Ministria e Kulturës çdo vit përkrah botimin e librave, bën blerjen e disa titujve që u shpërndahen bibliotekave gjithandej Kosovës, dhe përkrah botimin e disa revistave letrare.

Vitin e kaluar ka përkrahur botimin e 53 titujve të librave me gjithsejtë 97 mijë e 373 euro, ka blerë 56 tituj me 26 mijë e 149 euro dhe ka financuar botimin e 11 revistave letrare me 35 mijë euro.