Fjalë Kyçe

Ministrja gjermane njofton prezantimin e ligjit të ri: Qentë duhet të shëtiten dy herë në ditë

Ministrja gjermane njofton prezantimin e ligjit të ri: Qentë duhet të shëtiten dy herë në ditë

Ministrja gjermane e bujqësisë ka njoftuar se do të prezantojë një ligj të ri, i cili do t’u kërkojë pronarëve të qenve t’i nxjerrin ata për shëtitje të paktën dy herë në ditë, për një total prej të paktën një ore.

Rregullat gjithashtu do të ndalojnë pronarët e qenëve t’i lidhin ata për kohë të gjata apo t’i lënë vetëm për një ditë të tërë. Të paktën një në pesë gjermanë ka në shtëpi një qen dhe më shumë se 9 milionë qen në Gjermani mbahen si kafshë shtëpiake.

“Kafshët shtëpiake nuk janë lodra – dhe nevojat e tyre duhet të merren parasysh”, tha Ministrja Julia Klockner të hënën duke shtuar se ministria do të veprojë në përputhje me “studimet e fundit shkencore mbi nevojat e qenve”.

Nga ligji i ri do të preken edhe personat që i shesin kafshët shtëpiake. Ata do të lejohen të mbajnë njëkohësisht vetëm tre qenë të gjinisë femërore me këlyshë. Temperatura maksimale dhe minimale do të jetë gjithashtu pjesë e rregullores.

“Veçanërisht me temperaturat aktuale ekstreme ne duhet të sigurohemi që t’i ndihmojmë kafshët të mos vuajnë nga nxehtësia – dhe e njëjta gjë vlen edhe për transportin”, tha Klöckner.

Shumë pronarë qensh thanë se “ndërsa është e nevojshme që pjesa më e madhe e qenve duhet të shëtiten për të paktën një orë në ditë, disa faktorë si mosha dhe shëndeti dhe lloji ndikojnë në atë që është e përshtatshme për secilën kafshë”.

Ligji i planifikuar, i cili nuk ka ende një datë të caktuar të zbatimit, do të vendoset të 16 shtetet gjermane.

Megjithatë, mënyra e zbatimit të tij akoma nuk është e qartë.