Deputetet e Kuvendit të Kosovës me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin për vitin 2021.
Në hyrje të diskutimit, kryetari i Komisionit për Punë, Buxhet dhe Transfere, Armend Muja ka thënë se, disa nga kontratat që kanë qenë për efektet paraelektoral janë anuluar.
Sipas Mujës, ky rishikim po bëhet për ta mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të vendit nga pandemia COVID-19.
Ndërsa, ky rishikim ishte kundërshtuar nga partitë opozitare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se asnjë amendament i deputetëve të opozitës nuk është pranuar në rishikimin e Buxhetit për vitin 2021.
Hamza ishte shprehur se Projektligji ka një diskrepancë me atë që parashihet në Programin Qeveritar.
Kurse sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj rishikimi i Buxhetit nuk është bërë mbi nevojat e qytetarëve.
Ditë më parë, me shumicë votash Kuvendi kishte miratuar në lexim të parë rishikimin e Buxhetit.
Me buxhetin e rishikuar, shpenzimet do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.
Po ashtu, është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.