Sivjet Festivali i Teatrove në Ferizaj e nisi edicionin e 54-t me shfaqjen “Mishi i egër” të dramaturgut maqedonas Goran Stefanovski, nën regji të Martin Koçovskit. Fotografia e nisjes së festivalit është e përafërt secilën vit. Oborri i teatrit bëhet pikëtakimi për komunitetin artistik e publikun dashamir të teatrit. Ajo është vetë festa, veshur me ngjyrat e festivalit e rrethuar me posterë që prezantojnë programin e edicionit të një prej festivaleve më jetëgjatë në vend e rajon. Një ceremoni e thjeshtë e paraprin shfaqjen hapëse
Është bërë traditë që në fundgusht a fillimshtator teatri “Adriana” në Ferizaj ta vërë më në qendër pozitën e artit skenik. Përtej Ferizajt e edhe Kosovës, me shfaqje shqiptare nga rajoni. Lokacioni e orari dihen, publiku besnik, imazhi gati i njëjti. Sivjet Festivali i Teatrove në Ferizaj e nisi edicionin e 54-t me shfaqjen “Mishi i egër” të dramaturgut maqedonas Goran Stefanovski, nën regji të Martin Koçovskit.
Fotografia e nisjes së festivalit është e përafërt secilën vit. Oborri i teatrit bëhet pikëtakimi për komunitetin artistik e publikun dashamir të teatrit. Ajo është vetë festa, veshur me ngjyrat e festivalit e rrethuar me posterë që prezantojnë programin e edicionit të një prej festivaleve më jetëgjatë në vend e rajon. Një ceremoni e thjeshtë e paraprin shfaqjen hapëse.
Fjalimi disaminutësh i Besim Ugzmajlit, drejtorit të festivalit, kryesisht është shpalosje e shkurtër e historikut të ngjarjes, programit e falënderim për përkrahjen e institucioneve dhe publikut.
Midis ngjarjesh ka veçuar dy me të cilat Festivali i Teatrove në Ferizaj u bën një lloj homazhi ngjarjeve në kohë lufte.
“Meqë lufta është një diskurs mediatik e politik, edhe ne si festival kemi pasur një kujdes të veçantë që të kontribuojmë drejt kësaj teme dhe kemi dy aktivitete të jashtëzakonshme që e shënojnë këtë festival. Është fjala për ekspozitën ‘Teatri ilegal’. Vjen nëpërmjet videove të shkurtra nga Sovran Nrecaj dhe pas kësaj ekspozite kjo temë do të jetë një diskutim që flet për teatrin dhe luftën, si dhe luftën e teatrin”, ka thënë Ugzmajli, regjisor e drejtor i teatrit “Adriana” në Ferizaj.
Me t’u fikur dritat në skenë, vjen paralajmërimi për shfaqjen e parë të edicionit të sivjetmë të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.
“Mishi i egër”, shfaqja më e luajtur dhe ajo e cila e ka bërë më të njohur figurën e dramaturgut Goran Stefanovski që nga 1979, kur u shfaq për herë të parë, ka sjellë historinë e rrënimit dhe fatkeqësinë e një familjeje që gjen rrugën përkundër shembjes së folesë së tyre.
Rrëfim jashtëzakonisht prekës që vjen me një nuancë të lehtë humori. Një moment në shfaqje që paralajmëron sekuencën e jetës ku rrënohet pasuria e jetës – familja. Paralel me të shuhen edhe muret e shtëpisë që janë të pakuptimta në atë pikë. Por kur ato bien përtokë, ata marrin vesh se krahët e njëri-tjetrit janë vetë rezistenca.
Tradicionalja përplaset me modernen midis konflikteve për ta rrënuar shtëpinë dhe për të mos e bërë atë.
Paralajmërimi se do të ketë luftë vjen nga aktori Bajrush Mjaku në fillim, i cili luan rolin e Dimitrisë, babait, kryefamiljarit. Nga një skenë e mërzitshme që shpërfaq dëshpërim të thellë, duket se merr kah komik kur njëri prej bijve të tij hyn në skenë. Fatkeqësisht bëhet edhe më intensiv kur shpaloset gjendja e tij që pi pa ndalur dhe tërë kohën është nën ndikimin e alkoolit. Rolin e luan aktori Dritëro Ame.
Kjo ndjenjë bëhet edhe më e fuqishme kur tjetri nis të ndërtojë personazhin në skenë. Xhevdet Jashari fillimisht shfaqet i përkushtuar në punë, por shpërfillës ndaj familjes, i parespektueshëm, por i varur ndaj tyre. Dhe ndaj mundit të familjes të cilën synon ta bindë duke u kërkuar me ngulm të jepet shtëpia e trualli për një tjetër objekt që planifikohet të zërë vend aty.
Shfaqje me plot rrëmujë e zhurmë. Flet për përparimtarët e shekujve të kaluar dhe të padobishmit e shekullit në të cilin jetojmë. Për një kohë pa kohë ku askush askënd nuk e do.
Kryefamiljari është ai që nuk do t’ia dijë për kurrfarë rrethane kur vjen në konsideratë shtëpia e ngritur me shumë mund e sakrificë.
Aktori i shquar Bajrush Mjaku ka thënë se një vit para se të vdiste autori i shfaqjes, të cilin e kishte mik të afërt, i kishte kërkuar ta luante rolin.
“Me propozim timin u pranua në Teatrin Shqiptar ky tekst dhe përshëndetja ime e fundit me autorin do të kishte qenë shumë e mirë në rolin e Dimitrias. Por nuk mundesha t’i premtoja se do të mund ta realizoja këtë rol në këtë moshë. Nuk isha më në teatër, isha i pensionuar, por ja që u realizua ajo dëshirë, propozimi u pranua dhe besoj se ia kemi dalë për së mbari”, ka thënë aktori Bajrush Mjaku.
Ka thënë se në fund të vitit të kaluar është rikthyer pas dhjetë vjetësh në Teatrin Shqiptar në Shkup vetëm për rolin në këtë shfaqje, të cilën e kishte propozuar për t’u vënë në skenë.
“Mund ta them se pas dhjetë vjetësh u ktheva aty ku kam filluar dhe mbaruar, vetëm që ta realizoj këtë personazh meqë autori ka qenë shumë produktiv. Është i gjeneratës sime, ka qenë një shok i imi, një prej dramaturgëve më të mëdhenj në Ballkan. Babai i tij i ndjerë, në fillimet e mia në Teatrin Shqiptar në Shkup ka udhëhequr si drejtor artistik, ka qenë regjisor dhe jam shumë falënderues për angazhimet e para’, ka thënë aktori Mjaku.
Midis ngjarjesh, nëna e tyre përkeqësohet dhe bërtet “mish i egër”. Aktorja Amernis Nokshiqi, që e luan rolin, ka thënë se përtej një problemi shëndetësor ky mish i egër është një parandjenjë.
“E luaj rolin e nënës. Është një rol kompleks. Ajo thotë se ka mish të egër, e parandien se diçka nuk po shkon si duhet. E ka një rol të rëndë”, ka thënë ajo.
Është shprehur se skena e teatrit “Adriana” ka qenë e pamjaftueshme për shfaqjen “Mish i egër”, se është shumë më madhështore dhe se u është dashur ta adaptonin atë.
“Këtu e kemi adaptuar pak shfaqjen pasi kemi shumë skena që janë në prapavijë e të cilat nuk kemi pasur mundësi t’i kemi, por mendoj se publiku ka qenë i kënaqur me shfaqjen që sonte kemi pasur”, ka thënë aktorja Nokshiqi.
Një njeri me reputacion u vjen në shtëpi dhe aty nisin përplasjet e njërit prej personazheve me qëndrimet e tij, sjelljen e mënyrën e qeverisjes së pushtetarëve.
Në tjetrën anë, është edhe një lloj reflektimi për kulturën në vend. Trajtohen muzika e poezia. Aktorja Sabina Memishi luan në piano e flet për muzikën klasike.
Pafytyrësitë dhe tradhtitë zbulohen vazhdimisht sikurse edhe një lloj hierarkie ku shumëkush vjen në krye të tjetrit.
Simoni, rol që e luan aktori Dritëro Ame, kolapson nga plagët me të cilat njerëzit e kanë rënduar me fjalët e sjelljet e tyre. Ai ka thënë se mesazhi i shfaqjes është ai se nuk ka luftë më të keqe se ajo që ndodh nën kulmin e shtëpisë.
“Domethënë në një familje të shthurur ku raportet djalë-nënë, nënë-burrë, vëllezërit midis vete e me babanë. Dhe kjo është, uroj nëpërmjet një teatri, një leksion që t’ia mësojmë publikut që të mos ndodhin këto fenomene që i ka shkruar autori, sepse kjo është tragjedia më e madhe. Luftërat ndodhin gjithandej nëpër botë, janë luftërat frontale të cilat publiku i ka përballë, por më e tmerrshmja është ajo që ndodh nën kulmin e shtëpisë”, ka thënë aktori Ame.
E ka vlerësuar publikun fantastik dhe se janë pritur mjaft mirë. E ka konsideruar një prej arsyeve të jetëgjatësisë së festivalit ndërsa ka theksuar kushtet e teatrit. Ka thënë se duhet të punohet për një hapësirë më të gjerë.
“Me këto kushte të cilat i ka teatri, që është themeluar 54 vjet më parë apo më shumë, sepse e njohin si një prej festivaleve më të vjetra në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Preshëvë e Mal të Zi, një prej më të lashtave që duhet ta mbajmë si diamant. Unë uroj që pikërisht për këta spektatorë të mos i kemi këto telashe. Por të vetëdijesohen kryetari i Komunës e Ministria e Kulturës për të ndërtuar një objekt me përmasa më të mëdha, sepse emri dhe epiteti i këtij festivali sa vijnë e rriten dhe që të kemi mundësi ta gëzojmë dhe ta shijojë edhe publiku në numër më të shumtë”, ka thënë aktori Dritëro Ame.
Vetë aktorët luajnë muzikën e shfaqjes në skenë dhe e përgatisin skenografinë.
Rrëfimi i Stefanovskit vjen për familjen Andrejeviq duke prekur shpërbërjen, presionet që në mënyrë të pashmangshme çojnë në rënie të moralit. Por edhe në rebelim, shpërthime e kërcënime. Ndonëse lufta nuk ishte prezente në ato anë, shfaqja ishte një pikëpyetje për paqen në rrethana lirie.
Shfaqja ishte dhënë premierë në Teatrin e Dramës në Shkup më 1979. Shfaqja ishte vënë në skenë edhe në Teatrin Kombëtar të Sarajevës. Në skenë e kishte vënë regjisori boshnjak Dino Mustafiq.
“Fillimi i shekullit XXI ia jep edhe kësaj drame një kontekst të ri në një kohë kur Ballkani duket i humbur dhe i çorientuar drejt Evropës, e cila vjen në “shtëpinë tonë” me ideologji neoliberale, skllavëron çdo gjë përballë saj në një modë të re dhe materiale, duke i çuar njerëzit në skllavëri ekonomike”, kishte thënë Mustafiq për veprën e Stefanovskit, autorit të 23 shfaqjeve teatrale.
Shfaqja, produksion i Teatrit Kombëtar Shqiptar, ishte luajtur edhe në Tiranë në maj të këtij viti.
Tema e kësaj drame edhe sot është aktuale. Përfundimi është i trishtë, por edhe i lumtur në të njëjtën kohë. Aty thyhen zemrat e njerëzve derisa shemben muret e shtëpisë. Ai që kërkonte të ndodhte kjo, vë lakun në fyt derisa shëpia rrënohet. Shpëtohet nga dashuria e familjes. Ata mblidhen krejt rreth fatkeqësisë së tyre, në një pikë të përbashkët, në trishtimin e tyre. Por të paktën kanë njëri-tjetrin. Ata kuptojnë se janë vetë kuptimi i shtëpisë dhe se ajo është aty ndonëse përtokë.
Në shfaqje luajnë edhe Mentor Kurti, Arben Rasimi, Rrahim Ramadani, Genci Mirzo dhe Hetem Etemi.
Kjo shfaqje është veç një rrëfim i Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Të hënën është dhënë shfaqja “Audienca” e Vaclav Havelit me regji të Bashkim Ramadanit, që është produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren dhe “Charles III” nga Jeton Neziraj me regji të Agon Myftarit. Të martën (sot) jepet “Kamarja e turpit” nga Ismail Kadare me dramatizim të Dori Bashës e regji të Kushtrim Koliqit, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Të mërkurën, më 4 shtator, skena e teatrit “Adriana” mirëpret “Tartufin” e Molierit, nën regji të Qëndrim Rijanit, produksion i Teatrit të Qytetit të Gjilanit.
Teatri i Gostivarit dhe “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi vijnë me “Çifti i hapur” nga Dario Fo dhe Franca Rame më 5 shtator, ndërsa Turjela” me tekst dhe regji të Saimir Gongos prezanton Teatrin Kombëtar të Shqipërisë në Festivalin e Teatrove në Ferizaj.
Festivali zakonisht hapej me shfaqje nga institucioni nikoqir i ngjarjes. Por kësaj here teatri “Adriana” në Ferizaj e mbyll edicionin më 6 shtator me shfaqjen “Togeri i Inishmorit” me autor Martin McDonough dhe regji të Gjorgji Rizeskit.
Ky i fundit gjatë ditëve të festivalit po e udhëheq punëtorinë “World War IV” me 12 artistë nga vendi e rajoni.
Më 3 shtator do të zhvillohet panel diskutimi me temën “Teatri dhe lufta” me panelistë aktorët Nexhat Xhokli, Shkumbin Istrefi e Rebeka Qena dhe regjisorin Sovran Nrecaj, moderuar nga hulumtuesja Blerta Begisholli. Një ditë më pas tema “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare” mbledh në diskutim panelistët Kushtrim Sheremeti, Sulejman Rushiti, Erson Zymberi, Albulena Kryeziu – Bokshi, Elhame Kutllovci, Jeton Neziraj, Fatmir Hyseni, Burim Mustafa dhe Abdullah Osmani.
Pos kësaj, një performancë do të jepet nga Fiona Rushiti në mbyllje të festivalit, në oborrin e teatrit “Adriana”, ndërsa të martën hapet ekspozita dokumentare“Teatri ilegal” nga Sovran Nrecaj.
Festivali i Teatrove vit pas viti ka bërë bashkë në një vend publik e artdashës. Edhe sivjet për një javë e sjell magjinë e artit skenik dhe traditën e një prej festivaleve më të vjetra në vend e rajon.