Një delegacion mjekësh nga Izraeli po qëndrojnë në Kosovë. Foto: Ambasada izraelite në Kosovë
Një delegacion mjekësh nga Izraeli po qëndrojnë në Kosovë.
Kjo vizitë, siç njofton ambasada e Shtetit të Izraelit në Kosovë, po bëhet “në kuadër të angazhimeve tona për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në fushën e shëndetësisë mes Izraelit dhe Kosovës”.
Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Kosovë, ka shoqëruar Dr. Yoel Har-Even, Zëvendës-president për Çështje Globale në Divizionin Global të spitalit Sheba Tel HaShomer, dhe znj. Mika Amram, Drejtore e Shërbimeve Globale të Pacientëve në spitalin Sheba Tel HaShomer, gjatë vizitës së tyre të punës në Kosovë.
Thuhet se në këtë vizitë u diskutuan tema të shumta, me fokus të posaçëm në trajnimin e personelit mjekësor.
Për mikpritjen e tyre, ambasadorja Ziv ka falënderuar Arben Vitinë, ministër i Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjakun, zëvendësministre e Shëndetësisë, Elvir Azizin, drejtor i përgjithshëm në SHKSKUK, Dr. Dafina Bashollin dhe Dr. Baton Kelmendin, specialistë të mjekësisë emergjente, Dr. Narqize Arenliu-Hoxhajn, drejtore e përgjithshme në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, Dr. Laura Nushin, drejtore e përgjithshme në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, Dr. Gëzim Berishën, drejtor mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, Dr. Valbona Krasniqin, drejtore e Mjekësisë Fizikale, Dr. Teuta Osmani Vllasollin, specialiste e fiziatrisë, dhe specialistët e mjekësisë fizikale, Dr. Ardiana Murtezanin, Dr. Ilirjana Boshnjaku Dallkun dhe Dr. Nerimane Abazin.
Ambasadorja Ziv ka falënderuar edhe Roy Roznek, Konsullin e Nderit të Kosovës në Izrael, i cili gjithashtu iu bashkua takimeve.
Siç njofton Ambasada, spitali Sheba është renditur si spitali i 9-të më i miri në botë nga “Newsweek”.