Fjalë Kyçe

Moskë: Ngritet aktakuzë ndaj shtetasit amerikan

Moskë: Ngritet aktakuzë ndaj shtetasit amerikan

Autoritetet ruse kanë ngritur aktakuzë kundër Paul Whelan, nën dyshimet për aktivitete të spiunazhit.

Njoftimin e ka bërë avokati i tij, Vladimir Zherebenko, shkruan agjencia ruse Interfax.

Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi ka thënë më 31 dhjetor se ka arrestuar një amerikan, të identifikuar më vonë si Paul Whelan, për të cilin u tha se është kapur duke kryer një akt spiunazhi.

Familja e tij ka thënë se Whelan ka qenë në Rusi për të marrë pjesë në një dasmë dhe ka mohuar se ai është spiun.

Departamenti i Shtetit tha se ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, e ka vizituar Paul Whelan në një qendër paraburgimi në Moskë, më 2 janar, dhe se ka biseduar me familjen e tij.

“Ua kemi bërë të qartë rusëve se presim që të mësojmë më shumë për akuzat”, ka thënë sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, për të shtuar se nëse paraburgimi i Whelan del të jetë “i papërshtatshëm”, SHBA do të kërkojë kthimin e menjëhershëm të tij.