Fjalë Kyçe

Muharrem Nitaj flet për punësimin e djalit të tij në Telekom

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka folur për KALLXO.com pas lajmeve se djali i tij, Genci, është punësuar në Telekomin e Kosovës.
Muharrem Nitaj nuk e ka përjashtuar punësimin e djalit të tij në Telekom.
Por, ka thënë se ai është punësuar me konkurs të rregullt.
Po ashtu, Nitaj ka thënë se në punësimin e Gencit nuk ka ndikuar pozita e tij prej deputeti të Kuvendit të Kosovës.
“Secili e ka të drejtën e vet. Ka aplikuar në konkurs të rregullt, është pranuar dhe kaq është historiku. A me vdekë urie? Çka kam faj unë që jam deputet?”, ka thënë Muharrem Nitaj për KALLXO.com.
Po ashtu, Nitaj ka shtuar se djali i tij ka qenë duke punuar më një rrogë më të madhe në një kompani gjermane dhe se tash në Telekom paguhet më pak.
“Djali im ka qenë duke punuar në “IQ to link” dhe e ka pasur rrogën shumë më të madhe, e tash e ka rrogën shumë më të vogël. Po këta nuk po munden me u ngjit mediat në hajni e në tendera e tash po më thonë a ke ndiku? Jo valla se ai vet ka apliku. Djali është i moshës madhore dhe mund të vendosë vetë çka me bë”, ka thënë Nitaj.