Fjalë Kyçe

Murati për kriptovaluta: Po e kursejmë xhepin e qytetarit

Murati për kriptovaluta: Po e kursejmë xhepin e qytetarit

Vendimi i Qeverisë për ndalimin e mihjes së kriptovalutave është arsyetuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Doganës, Murati ka thënë se kjo është bërë për të kursyer xhepat e qytetarëve. Në konferencë është folur edhe për performancën e Doganës së Kosovës duke thënë se të hyrat kaluan shumën për 322 milionë më shumë se në vitin 2020

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka arsyetuar vendimin e Qeverisë për ndalimin e mihjes së kriptovalutave shkaku i krizës energjetike, duke thënë se kjo është për të kursyer xhepat e qytetarëve. Në një konferencë të përbashkët për media me drejtorin e Doganës së Kosovës, ministri Murati ka thënë se shteti ka vendosur të subvencionojë importin.

Sipas tij, do të ishte e padrejtë të subvencionohet fitimi i dikujt në kurriz të qytetarëve.

“Çdo kilovat që konsumohet përtej asaj që prodhohet, importohet me çmime enorme. Importi ka pasur një rast që ka shkuar në 500 euro për megavat në orë e që i bie 50 centë për kilovat në orë, që domethënë 50 centë duhet me pagu importin, kurse konsumatori e në këtë rast mihja për kriptovalutë e paguan 7 centë”, ka deklaruar Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve.

Në konferencë u fol për arritjet e Doganës për 2021-tën, ku, sipas drejtorit Agron Llugaliu, ky institucion ka arritur që të grumbullojë 1 miliard e 370 milionë euro apo 322 më shumë se në vitin 2020.

“Dogana ka pasur një strategji në ofrimin e kushteve për të gjithë, reformë të proceseve kyç për evazion fiskal dhe kemi pasur një bashkëpunim me biznese dhe qytetarë. Të hyrat nga Dogana e Kosovës janë 1.37 miliardë euro apo 320 milionë më shumë se vitin e kaluar. Kemi pasur të hyra edhe 16 për qind më shumë se vitin 2019. Kjo është bërë pa ndryshime në norma fiskale”, ka deklaruar Llugaliu, përderisa tha se edhe importi ka shënuar rritje krahasuar me vitet paraprake e që mbërrin shifrën e 4.6 miliardë eurove.

“Ajo që kemi vërejtur se ka pasur të hyra më shumë se 30 për qind, ne kemi vërejtur se ka rënie të ankesave të bizneseve dhe na tregon se ka një gatishmëri për t’i paguar taksat. Tek importi kemi pasur 4.6 miliardë euro, krahasuar me vitet paraprake kur ka pasur 3.5 miliardë euro”.

Tutje drejtori i Doganës tha se ka pasur efikasitet edhe në luftën ndaj kontrabandës me narkotikë.

Gjatë vitit 2021 ka pasur rritje të të hyrave edhe në ATK. Ky institucion ka grumbulluar 591.4 milionë euro apo 34.5 milionë euro më shumë se projeksioni për vitin e kaluar.