Ish kryeministri dhe kryetari në largim i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë një postim në Facebook ku ka folur për ekonominë e vendit.
Isa Mustafa po e cilëson lajm të mirë faktin që Kosova vazhdon të kryesojë me rritjen ekonomike krahasuar me vendet e tjera të regjionit, përcjell Periskopi. Por, e cilëson si lajm të keq që në vitin 2018 (sic) janë humbur 17 mijë vende të punës dhe se rritja ekonomike nuk po gjeneron vende të reja të punës.
Ai e ka cilësuar stilin e liderëve të institucioneve të Kosovës si ““kush është më i forti” dhe “kush kujt”, kush po ndërton më shumë autostrada afër katundit dhe regjionit të vet e kush po shet më shumë tenderë, nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjëve”, ka thënë Mustafa.
Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:
Është lajm i mirë se Kosova po vazhdon të kryesojë me rritjen ekonomike krahasuar me vendet në regjion. Por është lajm i keq se në vitin 2018 kemi humbur 17 mijë vende të punës dhe se kjo rritje ekonomike, e bazuar në investime publike, nuk po gjeneron vende të reja të punës. Përkundrazi!
Në Kosovë, në dy vitet e fundit, po rritet shkalla e papunësisë dhe po zvogëlohen investimet e huaja direkte.
Derisa institucionet e Kosovës janë të preokupuara me politika populliste, në stilin “kush është më i forti” dhe “kush kujtë”; kush po ndërton më shumë autostrada afër katundit dhe regjionit të vet e kush po shet më shumë tenderë, nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjëve. Papunësinë dhe punësimin e tyre.
Koalicioni qeverisës as nuk po di as nuk po don! IM