Anton Vukpalaj është profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës. Ai ka studiuar shkencat politike, sociologjinë politike dhe politikat krahasuese në Universitetin francez të Sorbonës (1994-1999) dhe Universitetin e Parisit 10 (2001-2008). Ai është i specializuar në studimin e drejtësisë transicionale dhe ballafaqimin e shoqërive post-konfliktuale me të kaluarën, me fokus të veçantë tek Evropa Juglindore.
Teza e tij mbi Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë (ICTY) u botua nga shtëpia botuese Michel Houdiard Editeur në Francë, në qershor 2010. Në vitin 2011 ai u bë anëtar i asociuar i Institutit të Shkencave Sociale të Politikave (ISP) në Paris, shkruan sot “Koha Ditore”.
Të njëjtin vit filloi të punojë si ligjërues në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e shkencave politike, ku më vonë u punësua si profesor, në vitin 2013. Nga janari i viti 2016 deri në tetor të vitit 2018 ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Departamentit të shkencave politike në Universitetin e Prishtinës.
Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, dhe ka botuar një numër artikujsh shkencorë, si dhe ka ligjëruar në shumë universitete perëndimore, duke përfshirë edhe Universitetin e Friburgut në Zvicër, ku në semestrin e parë, 2018-2019 ka ligjëruar lëndën: “Fragile states in Eastern and Southeastern Europe”, në nivelin master.