Fjalë Kyçe

Nagavci akuzohet për keqpërdorim në subvencionimin e teksteve shkollore nga deputetët e opozitës

Nagavci akuzohet për keqpërdorim në subvencionimin e teksteve shkollore nga deputetët e opozitës

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është akuzuar nga deputetët e opozitës për keqpërdorim me subvencionimin e teksteve shkollore gjatë një seance të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët për vitin 2023/2024.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, akuzoi ministren për favorizimin e shtëpisë botuese “Albas” për tekstet shkollore që sipas tij nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

“Ju thatë që janë shpenzuar 11 milionë euro në krahasim me shpenzimet e mëparshme, kur ka pasur më shumë nxënës dhe më pak shpenzime. A konsiderohet kjo korrupsion? Çmimet tani janë më të larta, nuk u pajtuat për afro 5 milionë ndërsa tani kushtojnë dyfish ose trefish më shtrenjtë?” pyeti Kastrati.

Ministrja Nagavci iu përgjigj akuzave duke thënë se:“Unë asnjëherë s’kam vjedhur. Kurrë as dje as sot nuk jam person që vjedh.” Ajo theksoi se për çdo ekzekutim të pagesës ka pasur verifikim nga ministritë përkatëse dhe banka.

Nagavci gjithashtu deklaroi se çdo rast të dyshuar për keqpërdorim e ka adresuar tek organet kompetente.

“Si deputete kam qenë korrekte, kam adresuar fakte, nuk kam shpifur, nuk kam thënë diçka që se di as vetë,” tha ajo.

Gjatë diskutimit, u përmend se Nagavci ka shkruar disa libra për shtëpinë botuese “Albas”, e cila pas ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet ka fituar disa tenderë nga Ministria e Arsimit.

Shtëpia botuese “Albas” ka fituar të drejtën për shpërndarjen e librave për shkollat në Luginë të Preshevës, me një vlerë prej 221 mijë e 314 euro, dhe pritet të marrë 254 mijë e 562 euro e 30 centë për pajisjet me tekste shkollore gjatë vitit 2023.

Nuk është e qartë se si është zgjedhur kjo shtëpi botuese për të marrë rolin e shpërndarësit të librave dhe nëse ka pasur procedura të prokurimit.