Çmimin për storjen më të mirë kundër korrupsion për vitin 2018 e fitoi gazetarja e “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj, me hulumtimin “Abuzimi me blerjen e barnave në Ministrinë e Shëndetësisë”.
“Satisfaksionin që ma ka dhënë rezultati i kësaj pune dyvjeçare u dëshmu edhe sot kur ministri [Uran] Ismaili tha që i kanë kursyer 6 milionë euro buxhet”, tha fituesja e çmimit.
Në këtë garë ishin katër storje hulumtuese.
Jeta Xharra dhe Faik Ispahiu aplikuan me serinë e emisioneve hulumtuese “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar”.
Emisioni “Jeta në Kosovë”, që prodhohet nga BIRN për RTK, gjatë muajve prill-maj të vitit 2018 ka transmetuar ciklin e katër emisioneve hulumtuese mbi parregullsitë dhe korrupsionin në koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Rrëfimi ekskluziv që ka zgjatur 6 muaj për t’u hulumtuar, ka shpërfaqur një varg mangësish në përmbushjen e kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë ‘Limak’ për menaxhimin e ANP-së, gjendjen e brishtë të sigurisë në Aeroport dhe punësimet familjare të zyrtarëve shtetërorë në këtë institucion publiko-privat.
Ndërsa storja e tretë kishte autor eton Sopa me ‘Zyrtari i Komunës së Prishtinës “kapet mat” duke pranuar ryshfet’. Si dhe Besnik Boletini dhe Besa Kalaja me “Dera e Punësimeve”.
Ky çmim është ndarë nga UNDP dhe Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Ceremonia është zhvilluar në kuadër të Javës kundër korrupsionit.