Ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare një prej regjisorëve më të shquar shqiptarë, Fehmi Hoshafi.
Ikonë e plejadës së artë të kineastëve shqiptarë, Hoshafi ka lënë pas një pasuri të madhe në kinematografinë vendase. Ai ka qenë regjisor i disa prej filmave më të njohur shqiptarë si “Kapedani”, “Shoku ynë Tili”, apo “Zëvendësi i grave”.
Fehmi Hoshafi lindi më 28 shtator të vitit 1934 në Tiranë. Ai filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hysen Hakani dhe Kristaq Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, 1964; Vitet e para, 1965; Oshëtimë në bregdet, 1967; Gjurma, 1970.
Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur “Kapedani”, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: Ëndërr për një karrige, 1984 dhe Zëvendësi i grave, 1987.
Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi Shoku ynë Tili.