Ndërmjetësit ndërkombëtarë po vazhdojnë punën gjatë të mërkurës për të zgjatur armëpushimin në Gazë, duke shpresuar se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – do të vazhdojë të lirojë pengje në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Armëpushimi aktual do të skadojë brenda ditës.
Izraeli ka mirëpritur lirimin e dhjetëra pengjeve gjatë ditëve të fundit dhe ka thënë se do të mbajë armëpushimin nëse Hamasi vazhdon të lirojë pengje. Por, synim tjetër i madh i Izraelit – eliminimi i grupit radikal që ka udhëhequr Gazën për 16 vjet – mund të mos arrihet.
Javë të bombardimeve të ashpra dhe sulmit tokësor izraelit kanë shkatërruar pjesë të mëdha në veriun e Gazës dhe kanë vrarë mijëra palestinezë.
Udhëheqësi i Hamasit në Gazë, Yehya Sinwar, dhe komandantë të tjerë ka të ngjarë që janë zhvendosur në jug të territorit, së bashku me qindra mijëra palestinezë të zhvendosur.
Një sulm tokësor izraelit në jug do të mund të dëbojë përfundimisht liderët e Hamasit, dhe të shkatërrojë pjesën e mbetur të infrastrukturës së grupit radikal, përfshirë tunele të gjata me kilometra dhe të shkaktojë viktima në mesin e palestinezëve. Por, Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin një shkatërrim të madh në Gazë.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, i ka thënë Izraelit që nëse rinisë ofensivën, duhet të operojë me precizitet të lartë, veçmas në jug. Një qasje e tillë ka pak të ngjarë që të gjunjëzojë Hamasin shpejt, teksa presioni ndërkombëtar për zgjatjen e armëpushimit po rritet.
Drejtori i CIA-s, William Burns dhe shefi i agjencisë së inteligjencës izraelite, David Barnea, ishin në Katar të martën për të diskutuar për zgjatjen e armëpushimit dhe lirimit të më shumë pengjeve. Katari ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin me Hamasin, ka qenë nikoqir i bisedimeve, në të cilat janë përfshirë edhe ndërmjetësit nga Egjipti.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të qëndrojë në rajon këtë javë, dhe po ashtu pritet që të kërkojë zgjatjen e armëpushimit.
Edhe ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) kanë kërkuar zgjatjen e mëtejme të armëpushimit dhe mbrojtjen e civilëve.
Lufta Izrael-Hamas u nxit pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke zënë peng afër 240 të tjerë.
Armëpushimi aktual parasheh lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Numri i përgjithshëm i pengjeve të liruara që nga e premtja – kur nisi armëpushimi – është 81, ndërkaq Izraeli ka liruar 180 të burgosur. /REL/