Disa sulme me armë në Shtetet e Bashkuara kanë ri-ndezur debatet e ashpra për kontrollin e armëve në Amerikë. Por ka edhe përpjekje të tjera për të mbrojtur njerëzit nga dhuna me armë – si krijimi i një ndërtese inteligjente me synim trajtimin e situatave të sulmeve me armë.
Inxhinierët e shkencave kompjuterike në Universitetin e Kalifornisë Jugore po përdorin realitetin virtual për të projektuar ndërtesa që mund të mbrojnë banorët e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee sjell hollësitë nga Los Anxhelosi. Por së pari duam t’ju paralajmërojmë se disa pamje në këtë kronikë janë grafike dhe mund të jenë shqetësuese për disa shikues.
Në këtë video virtuale, një sulmues me armë ndodhet në një shkollë. Si reagojnë njerëzit brenda? A do të përgjigjen ata ndryshe nëse ndërtesa është projektuar në një mënyrë tjetër? Realiteti virtual është hapi i parë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, për të ndihmuar inxhinierët të krijojnë një ndërtesë më të sigurt, thotë Gale Lucas, i cili studion ndërveprimin e kompjuterve me njeriun.
“Ne jemi të interesuar të shohim se si atributet e ndryshme të ndërtesës ndikojnë në reagimet ndaj incidenteve të dhunës ekstreme. Dhe kjo është diçka që ne nuk mund ta manipulojmë me lehtësi në botën reale, por në realitetin virtual kjo është e mundur, e sigurt dhe etike”.
Së shpejti mësuesit dhe punonjësit e zyrës do të testohen për të parë se si reagojnë ata gjatë një incidenti të dhunshëm virtual të inskenuar brenda modeleve të ndryshme të ndërtesave të zyrave dhe shkollave.
Makina të ngjashme si këto do të përdoren për të mundësuar vrapimin ose ecjen. Projektuesit do të shikojnë numrin e daljeve, vendeve të fshehura dhe nëse dritaret e qelqit duhet të jenë të tejdukshme apo të patejdukshme, bazuar në rekomandimet e ekspertëve qeveritarë dhe të sigurisë.
Burcin Becerik-Gerber është specialist i ambienteve inteligjente.
“Ka kaq shumë rekomandime dhe shumë para po investohen në këto ide, por ato nuk janë testuar mirë në botën reale në kuptimin e mënyrës se si funksionojnë.”
Qelqi i patejdukshëm për shembull, mund t’i mbajë njerëzit të sigurt në një situatë si kjo, por mund të mos jetë ideale në rrethana normale, për shembull në rastet kur personeli shkollor dëshiron të shohë brenda një klase.
“Unë mendoj se elementët kinetikë janë më dinamikë dhe më të mirë se se sa elementet statike të ndërtimit. Po flasim për qelqin e patejdukshëm kundrejt atij normal, por ato mund të pajisen me elemente inteligjente që reagojnë ndaj kërcënimeve kundër ndërtesës.”
Kështu që një dritare me qelq të tejdukshëm mund të bëhet e patejdukshme kur ekziston kërcënimi, thekson Becerik-Gerber.
Inteligjenca artificiale dhe sensorët në ndërtesa mund ta bëjnë këtë të mundur.
“Mund të përdoren sensorë të cilët mund të identifikojnë zhurmën e krijuar nga të shtënat me armë, klithmat dhe gjëra të tjera. Kështu që ndërtesa mund të ketë, për shembull, mure dinamike që bllokojnë ndoshta aktorët e këqij në ndërtesë.”
Një ndërtesë inteligjente gjithashtu mund të prodhojë sinjalistikë dixhitale që ua tregon banorëve daljet më të sigurta, larg dhunës.
“Nëse kemi mentalitetin e duhur dhe gatishmërinë për t’i zbatuar, ato nuk janë teknologji shumë të sofistikuara. Kështu që nuk besoj se jemi shumë larg krijimit të ambienteve inteligjente.”
Pasi studiuesit të kuptojnë se si tipare të ndryshme të projektimit ndikojnë në sjelljen e njerëzve, ata mund të projektojnë ndërtesa më të mira dhe mund të dinë se cilat lloje teknologjish do t’i mbajnë njerëzit të sigurt gjatë një akti të dhunës në masë.