Stina e verës në Australi është bërë dyfish më e gjatë se ajo e dimrit si pasojë temperaturave që po rriten nga ndryshimet klimatike, sipas një analize të re të të dhënave të motit.
Instituti “Australia” ka gjetur se vera në këtë shtet përgjatë 20 vjetëve të fundit ishte një muaj më e gjatë se stina e verës në mes të shekullit të 20-të, ndërsa stina e dimrit është shkurtuar, shkruan BBC.
Mes viteve 2014-2018, stina e verës është zgjatur për pesë për qind, transmeton Koha.net.
Gjetjet vijnë pas vitit më të nxehtë dhe më të thatë në histori për Australinë.
“Gjetjet tona s’janë një projeksion i asaj se çka mund të shohim në të ardhmen. Po ndodh tani”, ka thënë Richie Merzian nga ky institut.
Shteti ka përjetuar zjarre shkatërruese së fundmi, me 33 persona që vdiqën. Pësuan edhe më shumë se një miliard kafshë.
Teksa shkencëtarët thonë se ndryshimi klimatik s’ishte shkaktari direkt i zjarrit, ata kanë paralajmëruar se një klimë më e ngrohtë dhe më e thatë do të kontribuonte të shpeshtoheshin zjarret e të bëheshin më intensive.
Në analizën e re, Instituti “Australia” ka krahasuar të dhënat nga viti 1999-2018 me mesin e shekullit të shkuar. U gjet se temperaturat e verës zgjatën 31 ditë më shumë se në vitet e ’50-a dhe ’60-a, teksa dimri ishte për 23 ditë më i shkurtër.