Festa e Njëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës po pritet nën ethet e ndarjes. Këtë frikë e kanë shumica e partive parlamentare dhe njohësit e çështjeve politike në vend, duke iu referuar deklaratave të presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të lehtë” të kufirit me Serbinë.
Analisti politik Haki Abazi ka thënë se ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve mund ta risjellë konfliktin me Serbinë në nivel të territoreve, duke theksuar se një gjë e tillë është manipulim me shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Ndryshimi i kufijve dhe loja me Luginën e Preshevës e rivendos konfliktin me Serbinë në nivel të territoreve, e shfajëson Serbinë për krimet e bëra dhe ia hap derën persekutimit të mëtutjeshëm të shqiptarëve në Luginë dhe në Sanxhak. Kjo formë e dialogimit nëpërmjet Brukselit e që po tentohet të shitet sikur vulë për njohje është manipulim me qytetarët, sepse Bashkimi Evropian nuk është institucion që njeh pavarësi, ajo është në diskrecionin e anëtarëve të BE-së veç e veç”, u shpreh Abazi.
Abazi ka thënë se të gjitha këto veprime të Thaçit kanë për qëllim ta zgjasin mbijetesën e tij në skenë. Madje ai thekson se veprimeve të presidentit i është bashkangjitur edhe ekipi negociator, i cili sipas tij është pa legjitimitet ashtu siç është edhe Thaçi në këtë proces, shkruan Gazeta “Zëri”.
“Krejt kjo na sjell në konkludim se Thaçi po vepron për të mbijetuar politikisht në skenë dhe gjithashtu Qeveria e sidomos PSD-ja dhe parazitët tjerë që sot kanë pozita pa legjitimitet, kanë të njëjtin qëllim, mbijetesën, faktorizimin dhe përfitimet nga lojërat me buxhet derisa të vijë koha e zgjedhjeve. Asnjë platformë politike nuk mund të jetë mbi Kushtetutë dhe asnjë delegacion nuk mund të ketë mandat përmbi Parlamentin e Kosovës. Ky delegacion i ashtuquajtur shtetëror nuk ka legjitimitet për biseda me Serbinë”, ka thënë Abazi.