Më 12 qershor, Kosova sot po feston 25-vjetorin e çlirimit, një datë historike që përkujton hyrjen e forcave paqeruajtëse të NATO-s në territorin e saj.
Kjo ngjarje erdhi pas një fushate ajrore intensive të organizuar nga aleanca veriatlantike kundër objektivave të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë dhe Serbi, e cila pati si qëllim ndalimin e dhunës dhe të politikave represive të regjimit të atëhershëm të Slobodan Millosheviqit.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, sot ishte i pranishëm në aktivitetet përkujtimore dhe u bashkua me zyrtarë kosovarë dhe të ftuar të tjerë të nderuar për të kujtuar këtë moment tranzicioni që parapriu një epokë të re për popullin e Kosovës.
Përmes një shkrimi në platformën “X”, ambasadori theksoi rolin që luajtën Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në ndalimin e spastrimit etnik dhe në mbështetjen e ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për Kosovën.
“Sot iu bashkova zyrtarëve kosovarë dhe mysafirëve të dalluar për të shënuar 25-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO- në Kosovë, që i dha fund kampanjës brutale të spastrimit etnik të kryer nga regjimi i Millosheviqit”, ka shkruar Hovenier.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare për rolin e rëndësishëm që e kanë luajtur, bashkë me aleatët, për t’i stopuar horroret dhe për të mbështetur të gjithë popullin e Kosovës për ta realizuar të ardhmen e tyre si shtet sovran, i pavarur, multietnik, dhe demokratik”, ka shkruar ai.
Të mërkurën u bënë 25 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.
Aktivitetet e ditës së sotme u karakterizuan nga homazhet dhe ceremonitë që vlerësojnë sakrificat dhe luftën për liri dhe të drejtat e njeriut.
Kjo ditë mbetet një simbol i fuqishëm i rezistencës dhe triumfit ndaj represionit, duke prekur zemrat e shumë qytetarëve që me krenari kujtojnë rrugëtimin e tyre drejt lirisë,