Vende në të gjithë botën po vuajnë mungesën e infermiereve. Vetëm Britania ka 40,000 vende pune të lira. Shifra të ngjashme raportohen nga vende të tjera evropiane, si Gjermania. Një nga arsyet ka lidhje me faktin që meshkujt nuk futen në këtë profesion.
Vetëm 5 deri në 10% e infermierëve janë burra, mesatarisht. Pse kaq pak?
Puna e infermierëve është parë shpesh si punë për femra, për shkak se ashtu ka qenë vërtet, tradicionalisht. Në Britani, Kolegji Mbretëror i Infermiereve nuk pranonte burra deri në vitin 1960. Disa shkolla infermierie në Amerikë nisën t’i pranojnë burrat vetëm pas vitit 1982.
Për shumë dekada, filmat kanë vënë gjithnjë femra në rolin e infermierëve, si ndihmëse të doktorëve heroikë meshkuj. Infermieret, në disa vende, thirren edhe sot “motër”, një shprehje që ka mbetur si traditë. Ka vende ku këto tituj përdoren edhe për burrat.
Tërheqja e meshkujve për këtë profesion është sfidë e madhe. Vetëm 40% e prindërve në Britani thonë se do të ishin krenarë sikur djemtë e tyre të bëheshin infermierë.
Po ashtu, ideja që kanë njerëzit për punën që duhet të bëjë dikush në profesionin e infermierisë, është mbrapa në kohë. Ka nevojë urgjente të përditësohet. Infermieria është një punë profesionale me mundësi për karrierë. Ka specializime si anestezia, kardiologjia, apo dhënia e ndihmës së shpejtë në urgjencë.
Infermierët janë shpesh kontakti i parë me pacientët që janë në vështirësi shëndetësore. Stereotipat gjinore kanë rënë në shumë vende pune, por për infermierinë mbetet ende problem.