Policia e Kosovës në një komunikatë shtesë për aksionin e zhvilluar të hënën në veri, ku u mbyllën gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore, ka njoftuar se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave.
“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinarë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Tutje thuhet se në filialet e kësaj banke janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre.
Gjashtë filiale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’ në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.