Fjalë Kyçe

Në Itali votohet për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme

Në Itali votohet për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme

Italianët po votojnë këtë të diel në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, të cilat mund ta çojnë politikën e vendit drejt së djathtës ekstreme, në këtë kohë kritike për Evropën.

Kjo do të ishte Qeveria më të djathtë që ka pasur vendi që nga Lufta e Dytë Botërore.

Zgjedhjet e parakohshme u nxitën pasi mosmarrëveshjet e brendshme rrëzuan në korrik Qeverinë e Unitetit Kombëtar të ish-kryeministrit Mario Draghi.

Vendvotimet që u hapën në orën shtatë të mëngjesit, u japin të drejtë vote pothuajse 51 milionë italianëve, nga të cilët 4.7 milionë jetojnë jashtë vendit.

Publikimi i sondazheve të opinionit është i ndaluar dy javë para votimit, por në sondazhet më parë printe udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, dhe partia e saj nacionaliste, Vëllezërit e Italisë.

Koalicioni i qendrës së djathtë përfshinte gjithashtu partinë Liga Veriore të Matteo Salvinit dhe Forza Italia të Silvio Berlusconit.

Liderja e partisë Vëllezërit e Italisë, Giorgia Meloni, do të ishte zgjidhja më e mundshme për postin e kryeministrit, si kryetare e partisë kryesore të koalicionit.

Partia e saj ka pasur një rritje të mbështetjes elektorale pasi qëndroi jashtë Qeverisë së Draghit. Partia e Salvinit dhe ajo e Berlusconit ishin të dyja pjesë e Qeverisë dhe mbështetja ndaj tyre ka rënë.

E djathta është ndihmuar edhe nga ndasitë e bllokut të së ashtuquajturës “qendra e majtë”, ku përpjekjet e Partisë kryesore Demokratike (PD) për të formuar një aleancë të gjerë elektorale, dështuan.

Si rrjedhojë, tashmë janë tri grupe kryesore të qendrës ose të qendrës së majtë që luftojnë për vota – PD-ja dhe aleatët e saj; partia qendrore Veprimi dhe aleati i saj Italia Viva; dhe në fund Lëvizja 5 yjet.

Sistemi zgjedhor i Italisë favorizon grupet që janë në gjendje të krijojnë aleanca të gjera, me gjasë duke favorizuar fitoren e bllokut të krahut të djathtë.

LEXONI EDHE KËTË:
Koalicioni i krahut të djathtë drejt fitores së zgjedhjeve në Itali
Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 23:00 sipas kohës lokale, prite të fillojë numërimi i votave, ndërsa rezultatet e para pritet të dalin mëngjesin e së hënës.

Formimi i koalicioneve në Itali është një procedurë jashtëzakonisht e ngadaltë, por perspektiva e një rezultati më të qartë do të thotë se ka pak gjasa të përsëritet 2018-a, kur u deshën pothuajse tre muaj për të formuar koalicionin qeverisës.

Parlamenti i ri do të mblidhet më 13 tetor. Pas kësaj date, presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, mund të fillojë konsultimet me drejtuesit e partive për të diskutuar për kabinetin e ri qeveritar.