Në Klinikën e Otorinolaringologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i është shpëtuar jeta fëmijës N.G (2018).
Mjekët e ORL-së, në bashkëpunim me ata të Klinikës së Anesteziologjisë e Reanimacionit dhe Klinikës së Pediatrisë, arritën që pas intervenimeve ta shpëtojnë foshnjën 14 muajsh.
Ajo kishte përbirë kikirikë, copëza të së cilëve i kishin mbetur në fyt. Duke parë gjendjen e fëmijës, prindërit fillimisht ishin drejtuar në Klinikën e Pediatrisë, ndërkohë fëmijës po i shtoheshin problemet me frymëmarrje, me rekomandim të mjekut pediatër, fëmija drejtohet në Klinikën e ORL-së.
Pas konsultimit ndërmjet mjekëve të tre klinikave, në mënyrë konsiliare vendoset që fëmijës t’i bëhet trakio bronkoskopi (ndërhyrje në rrugët e frymëmarrjes).
Pasi ishte ftuar edhe ekipi shtesë i ORL-së, për të asistuar në kryerjen e kësaj procedure, fëmijës i hoqën 4 copëza kikirikë dhe iu liruan rrugët e frymëmarrjes.
Për të gjitha këto procedura ishte marrë pëlqimi nga ana e familjarëve.
Kjo procedurë është kryer me aparaturën e re të bronkoskopisë, me të cilën është furnizuar së fundmi Klinika e ORL-së.