Nesër do të varroset Flamur Rexha, kryefamiljari i cili dyshohet se në fillim të kësaj jave, në Hamburg të Gjermanisë, ka vrarë dy djemtë e tij të mitur, plagosi gruan e më pas vrau vetën.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi.
Flamur Rexha dyshohet se qëlloi për vdekje dy djemtë e tij të moshës 11 dhe 13-vjeçare e tentoi ta vriste edhe bashkëshorten Avdije R. (38) duke e plagosur.
Siç kanë raportuar mediat e huaja, Rexha kishte vrarë veten pasi qëlloi gjithë anëtarët e tjerë. Sipas hetimeve, ai ka qëlluar tetë herë me armë.
Sipas informacioneve të para familja kishte pasur konflikte edhe në të kaluarën, konkretisht në vitin 2020.
E për këtë rast, vëllai i Flamur Rexhës, Zenel Rexhaj, ka kërkuar që atij t’i bëhet obduksioni edhe në Kosovë, pasi trupi i Flamur Rexhës këtë të premte ka arritur në Kosovë.
“Kemi lajmëruar rastin në polici pasi kufoma vetëm kishte arritur në aeroport. Përmes telefonit kanë folur me një prokuror i cili kishte refuzuar obduksionin me arsyetimin se nuk ka nevojë pasi ai është kryer në Gjermani. Por ne si familjarë kemi dyshime pasi atje nuk na kanë treguar asgjë dhe duam të dimë saktësisht çfarë ka ndodhur”, ka thënë Zenel Rexhaj.
Rexha tregon dyshimet që ka në lidhje me obduksionin e kryer nga autoritetet gjermane.
“Supozohet se vëllai e ka bërë këtë ngjarje. Por kur iu bërë pyetjen se ku i kanë pasur plumbat viktimat ata thanë se dy fëmijët i kanë pasur në kokë nga një plumb derisa për vëllain nuk më treguan se ku e kishte goditur plumbi”, është shprehur ai.
Siç është mësuar deri tani, 44-vjeçari nuk kishte leje të armës. Motivi i vrasjes është ende i paqartë/reporteri.net