Fjalë Kyçe

Nga 1 janari nis tranpsortimi i miliona metër kub gaz përmes Shqipërisë

Nga 1 janari nis tranpsortimi i miliona metër kub gaz përmes Shqipërisë

Miliona metër kub gaz kalojnë çdo ditë nëpër tubacionet e gazsjellësit në Shqipëri, për të “zbarkuar” më pas në vendin fqinj – Itali. Sipas të dhënave të cilat përditësohen çdo ditë nga “Snam”, kompania italiane e cila është prezente edhe në Shqipëri, duke ofruar mirëmbajtjen e tubacioneve, çdo ditë në Itali transportohen rreth 10 milionë metër kub gaz.

Duke parë të dhënat e përditësuara të datës 7 janar, vihet re se janë rreth 11 milionë metrat kub të gazit që parashikohet të transportohet drejt pikës së Melendugnos në Puglia të Italisë. Kjo sasi gazi kalon nëpërmjet 215 kilometrave tubacion brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe plotëson rreth 13% të nevojës së shtetit fqinj për gazin metan.

Fillimisht, TAP projektohet të transportojë rreth 10 mld metër kub gaz në vit, nga të cilat 8 miliardë drejt Italisë dhe nga 1 miliard për Greqinë dhe Bullgarinë. Shifrat tregojnë se në momentin aktual TAP po funksionon vetëm me 1/3 të kapacitetit të projektuar fillimisht. Viti 2021 e ka gjetur gazsjellësin transadriatik (TAP) tërësisht funksional.

Pas thuajse 4 vjetësh punë, projekti furnizon Evropën me gazin azer, duke ulur disi varësinë e Bashkimit Evropian nga gazi rus, si dhe duke realizuar një prej objektivave më strategjikë të unionit.

Në mesin e muajit nëntor të vitit kaluar, katër vjet e gjysmë nga inaugurimi i punimeve, gazsjellësi Transadriatik (TAP) ka nisur operacionet tregtare duke u bërë plotësisht operativ përgjatë 878 kilometrave të trajektores së tij në Greqi, Shqipëri, Detin Adriatik e Itali.

Pas fillimit të operacioneve komerciale në 15 nëntor të 2020-s, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) AG konfirmoi më 31 dhjetor 2020 fillimin e transportit të gazit nga Azerbajxhani. Sasia e parë e gazit mbërriti në Greqi dhe Bullgari, përmes pikës së interkonjeksionit të Nea Mesimvrias me DESFA-n, si edhe në Itali përmes pikës së interkonjeksionit të Melendunjos me SNAM Rete Gas (SRG).

“Sot është një ditë historike për projektin tonë, po ashtu edhe për vendet tona pritëse e tregun energjetik të Evropës. TAP-i është një pjesë thelbësore e rrjetit të gazit në kontinent, duke kontribuar në hartën e transportit të energjisë. Ne ofrojmë një linjë transporti të sigurt, direkte dhe me kosto të ulët në vendet e Evropës Juglindore e më gjerë”, tha më 31 dhjetor 2020 Luca Schieppati, drejtori menaxherial i TAP-it. Ndërsa Marija Savova, drejtore komerciale e TAP-it, shtoi se “fillimi i shpërndarjes së gazit është një moment historik për tregun e gazit në Evropë”.

“Teksa presim me padurim t’u shërbejmë transportuesve të gazit në muajt e vitet që do të vijnë, presim me padurim ta fillojmë gjithashtu fazën e dytë të testimit të tregut në verë, çka do të mundësojë zgjerimin e TAP-it në të ardhmen, duke dyfishuar kapacitetin e gazsjellësit në 20bcm/a”, tha Savova. TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Denizit në sektorin azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë Jugore.

TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të shumtë. Në veçanti Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit me Greqinë. Kjo në këmbim do ta lehtësojë rritjen e shkallës së penetrimit të gazit natyror në vend.

Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të mëtejshme për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane. Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike, si dhe thelbësor në ofrimin e aksesit të sigurt në një burim të ri gazi natyror.

TAP-i luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së sektorit energjetik në Evropë, diversifikimin e rezervave energjetike, si edhe objektivat e dekarbonizimit. Aksionarët e TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).