Fjalë Kyçe

Nga 2 mijë deri në 10 mijë euro – gjobat për kompanitë që iu vdiqën punëtorët më 2018

Nga 2 mijë deri në 10 mijë euro – gjobat për kompanitë që iu vdiqën punëtorët më 2018

Vitin që po e lëmë pas, në vendin e punës në rrethana të njëjta, pasiguria në punë, humbën jetë 23 punëtorë. Nga ky numër, sipas Inspektoratit të Punës, 12 ishin punëtorë të ndërtimtarisë.

Për këto 12 raste Ndërtimi.info ka siguruar raportet e Inspektoratit të Punës që tregojnë se si erdhi deri te vdekja e punëtorëve dhe gjobat që janë shqiptuar për punëdhënësit. Gjoba më e madhe i është shqiptuar kompanisë Sh.P.K “Timi Construction” për rastin e vdekjes së punëtorit Valon Berisha, gjobë prej 10 mijë euro.

Ndërsa gjoba më e ulët e shqiptuar është 2 mijë euro ndaj kompanisë “SatStyro” ku vdiq 17 vjeçari Seldin Alija.

Vdekja e parë në 2018-ën ishte shënuar më 31 janar në Gjilan. Punëtori Musli Krasniqi, derisa po bënte ngarkimin dhe shkarkimin e armaturave, ku një nga shufrat metalike kishte rënë në kontakt me telat e rrymës elektrike, kontakt ky që i mori jetën të ndjerit Krasniqi.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur nga mos-sigurimi i vendit se ku do të ndalej transporteri. E për këtë Inspektorati i Punës ka gjobitur kompaninë Sh.P.K “Fitorja” me 5 mijë e 500 euro gjobë.

Këtë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info zëvendëskryeinspektori i Punës, Agim Millaku.

“Gjoba për punëdhënësin ka qenë 5 mijë e 500 euro për mos-sigurimin e vendit të punës në mënyrë të sigurt që transporteri mos me u ndal aty afër kontaktit me tensionin e lartë të energjisë elektrike”, tregoi Millaku.

Edhe Drilon Arifaj humbi jetën pas kontaktit me telat e rrymës elektrike, derisa po punonte në një shtëpi private më fshatin Peqan të Suharekës. Arifaj punonte në kompaninë “Fisi Co” Sh.P.K. Ngjarja ka ndodhur derisa i ndjeri po i barte dërrasat e lagura nga një mini-garazh, gjatë së cilës bartje edhe ra në kontakt me telat e rrymës.

Rasti tjetër ka të bëjë me vdekjen e punëtorit, Gentian Krasniqi, i cili kishte rënë nga lartësia derisa po punonte në një ndërtesë në “Rrugën B”. Sipas raportit të Inspektoratit, tashmë i ndjeri, Krasniqi gjeti vdekjen derisa po zbriste skeleve por që i dështoi kapja në shufrat e skeleve.

“Gentian Krasniqi, në ‘Rrugën B’ ka rënë nga lartësia. Ka tentuar të zbres përmes skeleve dhe rastësisht i ka dështuar kapja në shufrat e skeleve dhe ka rënë, por saktë sa ka qenë lartësia nuk dihet”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Punës.

Vdekjet në vendin e punës nxiten reagime e deklarata të shumta. Ajo që shqetësoi qytetarët ishte se për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, në sektorin e ndërtimit po detyrohen të punojnë edhe persona që nuk kanë njohuri me këtë fushë.

Në mëngjesin e 24 majit u shënua edhe një vdekje. 30 vjeçari Valon Berisha i diplomuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit, ra nga kati i tretë i një objekti që po ndërtohej në Fushë Kosovë.

Valoni po punonte në kompaninë Sh.P.K “Timi Cnstruction”. Ai la pas vetes një vajzë dy vjet e gjysmë dhe një djalë mbi 1 vjet.

Ndërtimi.info mëson se Inspektorati i Punës ka gjobitur kompaninë me 10 mijë e 500 euro.