Edhe pse ende nuk është funksionalizuar ndërmarrja për parkingje në Prishtinë, planifikohet që nga ky muaj të fillojë aplikimi i pagesave për parkingjer publike, kurse çmimet për parking në zonën qendër po shihen si astronomike.
Nga ky muaj, në kryeqytet do të shtrenjtohen çmimet për parkim të automjeteve në vende publike, sidomos në qendër.
Për këtë shumë qytetarë po ankohen se shtrenjtimi i çmimeve për parkim është i paarsyeshëm. Ata thonë se çmimi prej 1 eurosh për një orë parkimi në qendër është shumë i lartë, derisa tarifën ditore prej 7.50 eurosh e vlerësojnë si të papërballueshme.
Koha maksimale për parkim në zonën e parë është dy orë, derisa parkingjet do të jenë me pagesë nga ora shtatë e mëngjesit deri pas mesnatës, raporton 038 në KTV.
Të dielave dhe gjatë festave parkingjet do të jenë papagesë. Në zonën e dytë parkimi për një orë do të kushtojë 50 centë, kurse në zonën e tretë 30 centë. Tani e tutje, banorët e kryeqytetit (qendrës) do të duhet të paguajnë 10 euro në muaj për shfrytëzim të parkingjeve.
Por, aplikimi i masave të reja nga Komuna si përpjekje për të zvogëluar numrin e automjeve brenda qytetit, siç duket do të nisë pa qenë ende funksionale ndërmarrja “Prishtina Parking” e cila ka për detyrë menaxhimin e parkingjeve.
Ndërmarrja ende nuk e ka kryeshefin e saj, edhe pse konkursi për këtë pozitë është mbyllur fundvitin e kaluar. Opozita në Kuvendin Komunal akuzon ekzekutivin se po e bllokon qëllimshëm zgjedhjen e kryeshefit, si përpjekje për të emëruar dikë të afërt me drejtuesit e komunës.
Eman Rrahmani, aksionar i “Prishtina Parking”, thotë se bordi nuk duhet të pengohet, por të mbështetet në shqyrtimin e aplikacioneve për pozitën e kryeshefit.
Por, pretendimet e Rrahmanit i mohon aksionari i ndërmarrjes nga PSD-ja, Drilon Pireva. Çmimi për parkingje do të jetë i njëjtë si në hapësira publike ashtu edhe në parkingjet private.