Në sezonin e ardhshëm të ngrohjes qytetarët e Prishtinës janë njoftuar nga Termokos se do të faturohen në bazë të konsumit dhe jo me metër katrorë.
Matja do të fillojë nga tetori i këtij viti dhe do të përfshin mbi 17.000 konsumatorë të termokosit.
Fisnik Osmani, krye-shef ekzekutiv në Termokos përmes një video informuese ka njoftuar konsumatorët për këtë projekt të ri i cili është përshpejtuar falë donacionit nga MCC.
“Për mijëra konsumatorë ky është viti i parë që do të faturohen me konsum dhe jo me metër katror. Për më pak se dy vite ky projekt ka instaluar më shumë se 250.000 pajisje për 17.500 familje. Ky projekt nuk ka qenë fare i lehtë për implementim, në disa shtete ka marrë 10 vite kohë tek ne është përshpejtuar falë donacionit të MCC për qytetarët e Prishtinës”, u shpreh ai.
Duke i apeluar konsumatorët për të kursyer ai shtoi se mund të ketë ankesa, por ekipet e tyre do t’i zgjidhin.
“E dimë që diku do të ketë ankesa, diku do të ketë edhe probleme teknike, por ekipet tona profesionale do të përpiqen t’i zgjidhin. Ndërsa, ftesa ime kryesore është që vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm, të kurseni”, tha ai.
Ndryshe, Termokosi është themeluar në vitin 1970, si kompani e ngrohjes qendrore ndërsa, nga qershori i vitit 2008 është nën mbikëqyrjen e Komunës së Prishtinës.