Fjalë Kyçe

Nis një tjetër ‘luftë e ftohtë’ mes Rusisë dhe Perëndimit

Nis një tjetër ‘luftë e ftohtë’ mes Rusisë dhe Perëndimit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë krah aleatëve të saj evropianë kundër Rusisë, ka premtuar presidenti amerikan Joe Biden, pak para takimit ballë për ballë me homologun e tij rus, Vladimir Putin që pritet të ndodh javën e ardhshme.

Bideni do të udhëtojë për në Evropë të mërkurën, për të marrë pjesë në samitin e G7-tës dhe atij të NATO-s, e po ashtu, do të ketë edhe një takim të nivelit të lartë me presidentin rus, Vladimir Putin, që është paraparë të ndodhë më 16 qershor.

Samitet do të ndodhin në kohën kur SHBA-ja dhe Rusia po përballen me krizë të madhe në raportet mes tyre, me tensione të larta për një mori çështjesh, duke përfshirë akuzat e piraterisë, të drejtat e njeriut dhe pretendimet e përzierjes në zgjedhje.

Në një shkrim të botuar të shtunën në “Washington Post”, presidenti Biden premton të mbështesë “aleancat demokratike” të Uashingtonit përballë krizave të shumta dhe kërcënimeve në rritje nga Moska dhe Pekini.

“Ne do të qëndrojmë të bashkuar për të adresuar sfidat e Rusisë ndaj sigurisë në Evropë, duke nisur me agresionin e saj në Ukrainë, dhe nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë vlerat tona demokratike, të cilat nuk mund t’i ndajmë nga interesat tona”, ka shkruar Bideni.

Ai ka shtuar se kur të takohet me homologun e tij rus, do të nënvizoj angazhimin e Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe demokracive të tjera, për t’i dalë në krah të drejtave dhe dinjitetit të njerëzve.

Megjithatë, Bideni ka thënë se dëshiron marrëdhënie të mira me Rusinë, në mënyrë që të punojë me të në çështjet si stabiliteti strategjik dhe kontrolli i armëve.

Udhëtimi për në Evropë të mërkurën e ardhshme do të jetë udhëtimi i parë jashtë vendit i Joe Bidenit si president i SHBA-ve.