Fjalë Kyçe

Nisin evakuimet nga Afganistani edhe me aeroplanë komercialë

Nisin evakuimet nga Afganistani edhe me aeroplanë komercialë

Dhjetëra të huaj, përfshirë shtetas amerikanë, janë larguar nga Kabuli me një avion komercial ndërkombëtar, duke shënuar evakuimin e parë në shkallë të gjerë që kur forcat amerikane dhe ato të NATO-s u larguan nga Afganistani në fund të muajit të kaluar.

Largimi i tyre të enjten shënon një përparim në koordinimin e trazuar midis Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqësve të rinj talebanë të Afganistanit.

Talibanët kanë thënë se do të lejojnë të huajt dhe afganët me dokumenta të vlefshme udhëtimi të largohen. Por një mosmarrëveshje disa ditore mbi avionët çarter në një aeroport tjetër kishte hedhur dyshime mbi garancitë e dhëna nga talebanët.

Avioni i shoqërisë ajrore Qatar Airways do të ulet në Doha. Një zyrtar i lartë amerikan tha se në fluturim ka amerikanë, ata me dokumentin e njohur si ‘karta jeshile’ dhe kombësi të tjera, përfshirë gjermanë, hungarezë dhe kanadezë.

Udhëtarët paraqitën dokumentet e tyre për kontroll ndërsa qentë e trajnuar inspektuan bagazhet e vendosura në tokë. Disa nga punonjësit veteranë të aeroportit ishin kthyer në punët e tyre pasi kishin ikur gjatë kaosit të evakuuimit ajror të udhëhequr nga SHBA.

Irfan Popalzai, 12 vjeç, në mesin e atyre që hipën në avion me nënën e tij dhe pesë vëllezërit dhe motrat, tha se familja e tij jeton në Merilend.

“Unë jam afgan, por jam nga Amerika dhe jam shumë i emocionuar të largohem”, tha ai.

Ndërsa grupi ishte përgatitur për të hipur më herët, zyrtarët e Katarit u mblodhën në pistën e aeroportit të Kabulit për të njoftuar se aeroporti ishte gati për rifillimin e fluturimeve komerciale ndërkombëtare pas disa ditë riparimesh.

Ekspertët teknikë nga Katari dhe Turqia kanë qenë në garë për të rivendosur operacionet e fluturimit në aeroportin e Kabulit.

Një diplomat i huaj, duke folur në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të informonte median, tha se edhe 200 të huaj të tjerë, përfshirë amerikanë, do të largohen gjatë dy ditëve të ardhshme.

Mbetet e pasigurt se çfarë do të thotë rifillimi i fluturimeve ndërkombëtare gjatë ditëve të ardhshme për dhjetëra mijëra afganë të dëshpëruar për t’u larguar nga udhëheqësit e rinj talebanë të Afganistanit, nga frika e regjimit të tyre.

Qindra afganë të tjerë në rrezik për shkak të punës së tyre të mëparshme me amerikanët janë mbledhur për më shumë se një javë në qytetin verior të Mazar-e-Sharif, duke pritur lejen për të hipur në fluturimet evakuuese të planifikuara privatisht jashtë vendit.

Edhe pse talebanët siguruan botën se do të linin udhëtarët me dokumenta të vlefshme udhëtimi të largoheshin nga vendi, shumë nga ata që ishin bllokuar në aeroportin verior nuk kishin dokumenta të tilla.