Fjalë Kyçe

Nisin hetimet ndaj Shpend Ahmetit për tenderin gjysmë milionësh të qumështit

Nxënësit e ciklit të ulët në shkollat e Prishtinës nuk po i marrin shujtat e plota. Atyre po iu shërbehen vetëm kiflet. Gjithë kjo pas anulimit të tenderit të qumështit nga Komuna e Prishtinës. Tenderi nuk është shpallur ende dhe nuk dihet se kur do të shpallet. Ndërkaq Prokuroria e shtetit ka filluar hetimet ndaj Shpend Ahmetit, për padinë të cilën e ka dorëzuar Lëvizja Vetëvendosje nën dyshimin se Ahmeti ka bërë keqpërdorime me tenderin e qumështit

Shujtat të cilat iu shërbehen nxënësve të ciklit të ulët të shkollave të kryeqytetit, për gati dy muaj nuk janë të plota. Kjo pasi tenderi për furnizim të shkollave me qumësht ka skaduar me 11 janar të këtij viti, e pasi është shpallur është anuluar nga Komuna e Prishtinës. Shkak për anulim të tenderit janë bërë procedurat tenderuese të cilat Komuna e Prishtinës nuk i zhvilloi më kohë.

Ndërkaq nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, kanë thënë për Express se janë në procedurë të tenderimit për qumështin, por nuk mund të ndikojnë në procedurat e prokurimit.

E pikërisht për çështjen e furnizimit të shkollave me qumësht, Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore, ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit.

Ky kallëzim penal ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë për Gazetën Express se tashmë ka filluar trajtimi i padisë të cilën e ka dorëzuar Lëvizja Vetëvendosje, ndaj të partit të Prishtinës, Shpend Ahmetit.

“Për rastin në fjalë, prokurori i çështjes është duke e trajtuar, andaj aktualisht ndodhet në fazën e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Më 11 janar të këtij viti ka skaduar validiteti i kontratës që Komuna e Prishtinës e ka pasur të lidhur me kompaninë “ABRAZEN” L.L.C. Kjo kontratë peshonte saktësisht 733.698,00 euro.

Më pas komuna përmes procedurave tenderuese hapi ofertë të re, por e ka anuluar tenderin me arsyetimin se çmimi i ofruar nga ofertuesi i vetëm ka tejkaluar shumën e planifikuar nga komuna.

E çështja e qumështit ka shkaktuar përplasje në mes të Vetëvendosjes e Shpend Ahmetit. Ky i fundit ndoqi rrugën e njejtë me ish-partinë e tij, duke i paditur për shpifje, në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Madje pasi kishte dorëzuar padinë, Ahmeti kishte thënë se në padi ka kërkuar dëmshpërblim, të cilin sipas tij do ta caktojë gjykata.

Komuna e Prishtinës ka pasur dy kontrata për furnizim me qumësht të nxënësve të klasave I-V. E para ishte lidhur në vitin 2015 me “Devolli Group” dhe ka qenë kontratë kornizë për disa vite. Sipas kësaj kontrate, një pako qumësht është blerë 10 centë. Dhe kontrata e dytë, të cilës i ka skaduar validetiti para disa jave ishte lidhur në vitin e kaluar, dhe një pako qumësht është blerë 20 centë. Çmimi prej 10 centëve në të cilin kanë hyrë edhe paketimi dhe distribuomi e kishte arsyetuar kompania dhe Komuna. Kishinë thënë se ky ishte çmim promocional, meqë produkti kishte hyrë për herë të parë në treg.