Mbi 1 mijë persona janë arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në Rusi gjatë protestave kundër dekretit për mobilizim ushtarak, të lëshuar nga presidenti Putin.
Disa mijëra kanë qenë qytetarët që kanë manifestuar në zona të ndryshme të vendit, për të treguar refuzimin e tyre ndaj planeve të Kremlinit për luftë.
Protestat janë zhvilluar përmes grumbullimeve të vogla, gjatë të cilave janë ngritur parulla kundër luftës. Nga ana e saj, policia ka ndërhyrë menjëherë.
“Duhet ta kishim menduar më parë. Tashmë e keqja ka ndodhur”, thotë një grua.
“Nuk kemi frikë! E urrejmë këtë regjim sepse do që t’u marrë jetën fëmijëve tanë. Im bir është 18 vjeç dhe unë nuk dua që ai të vdesë”, shprehet një tjetër.
Sipas të dhënave të disa organizatave joqeveritare, manifestimet janë zhvilluar në të paktën 38 qytete të vendit, përfshirë Moskën, Shën Pjetërburgun, Ekaterinburgun.
Numri më i madh i arrestimeve është verifikuar në kryeqytet, mbi 300 raste dhe Shën Pjetërburg, 287 raste.
Personat e arrestuar rrezikojnë të dënohen deri në 15 vjet burg nën akuzën e diskreditimit të forcave të armatosura dhe për përhapje të lajmeve të rreme për operacionin ushtarak rus në Ukrainë.