Në Athinë nisën të mblidhen protestuesit kundër marrëveshjes së Prespës për emrin e Maqedonisë.
Protesta kryesore është e organizuar në sheshin qendror në Athinë.
Organizatat qytetare gjatë ditëve të kaluara kanë intensifikuar fushatat e rrjeteve sociale për të mbledhur sa më shumë protestues në sheshin “Sintagma”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Qeveria pret që marrëveshja e Prespës të ratifikohet me shumicë prej 151 votash. Edhe pse e brengosur për shkak të kundërshtimit në publik, është optimiste në mbështetjen në Kuvend.
Debati para votimit kah fundi i kësaj jave pritet të jetë i nxehtë për shkak se të gjitha partitë opozitare janë kundër ndërsa kryetari i partisë më të madhe opozitare “Demokracia e Re”, Kyriakos Mitsotakis marrëveshjen e quajti “disfatë kombëtare”.
Përveç 145 deputetëve të “Syriza”, kryeministri grek Tsipras pret mbështetjen nga deputetë të pavarur për të arritur 151 vota.