Një burrë që bëri komplot për të bombarduar sistemin e metrosë në Nju Jork, por që më pas u shndërrua në informator për autoritetet amerikane në luftën e tyre kundër terrorizmit, u dënua me 10 vjet në burg.
Najibullah Zazi, 33 vjeç, me prejardhje nga Afganistani, përballej me burgim të përjetshëm, nën akuzat që lidheshin me terrorizmin.
Por, avokati i tij tha se Zazi do të lirohet “brenda ditësh”, marrë parasysh kohën që ka kaluar tashmë në burg.
Prokurorët e vlerësuan atë për bashkëpunimin “e jashtëzakonshëm” prejse ka pranuar fajësinë në shkurt të vitit 2010.
Zyrtarët thanë se Zazi ka qenë veçanërisht i dobishëm për shkak të dijenisë së tij për operacionet e grupit terrorist Al Kaida.
Zazi, amerikan i natyralizuar, thuhet se ka udhëtuar disa herë në Pakistan, ku ka takuar anëtarë të Al Kaidës dhe ka bërë trajnime për armë dhe shpërthime.
Zazi ka kërkuar falje në gjykatë.
Al Kaida e ka rekrutuar atë dhe dy miq të tij për të kryer sulme vetëvrasëse në metronë e Nju Jorkut, që do të përkonin në atë kohë me 8-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001.
Por, Zazi është arrestuar në vitin 2009 pasi hetuesit janë njoftuar se ai ka lidhje me militantët.
Zazi ka dëshmuar kundër njërit prej bashkëpunëtorëve të tij të dyshuar, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm.
Tjetri është dënuar vitin e kaluar me dhjetë vjet në burg, pasi ka pranuar fajësinë dhe është pajtuar të bashkëpunojë me autoritetet.