Një anomali misterioze po bën që fusha magnetike e Tokës të dobësohet midis Amerikës së Jugut dhe Afrikës, dhe shkencëtarët nuk e dinë ende arsyen.
Të dhënat e mbledhura nga Agjensia Europiane e Hapësirës (ESA) dhe botuar në maj shënojnë se zona e prekur, e njohur si Anomalia e Atlantikut të Jugut, ka parë që forca magnetike të dobësohet me gati 9 % gjatë 200 viteve të fundit.
Ekzistojnë shumë spekulime rreth këtij fenomeni që po ndodh, por sipas astronomit dhe profesorit të fizikës në Universitetin e York-ut Paul Delaney, anomalia mund të jetë shkaktuar nga një përmbysje e rregullt e fushës magnetike të Tokës.
Ai shtoi se hera e fundit që fusha magnetike e Tokës u përmbys ishte rreth 780,000 vjet më parë. Delaney tha se matja e tanishme e fushës së dobësimit mund të sugjerojë që Toka do të kalojë në një përmbysje, por gjasat që kjo të ndodhë janë shumë të pakta.