Fjalë Kyçe

Një në gjashtë njerëz vdes nga ndotja e ajrit në botë

Një në gjashtë njerëz vdes nga ndotja e ajrit në botë

Ndotja shkaktoi një në gjashtë vdekje në mbarë botën në vitin 2019, ka zbuluar një studim i ri – më shumë se shifrat vjetore globale për luftën, malarinë, HIV-in, tuberkulozin, drogën ose alkoolin, shkruan CNN të mërkurën.

Studimi, i publikuar nga Komisioni Lancet për ndotjen dhe shëndetin, zbuloi se ndotja vret nëntë milionë njerëz çdo vit.

Sipas studimit, vdekjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe ndotja kimike toksike u rritën me 66% gjatë dy dekadave të fundit, të nxitura nga urbanizimi i pakontrolluar, rritja e popullsisë dhe varësia nga lëndët djegëse fosile.

“Ndikimet shëndetësore të ndotjes mbeten të mëdha dhe vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mbajnë peshën kryesore të kësaj barre”, tha Richard Fuller, autori kryesor i studimit. “Megjithë ndikimet e mëdha shëndetësore, sociale dhe ekonomike, parandalimi i ndotjes është anashkaluar kryesisht në agjendën e zhvillimit ndërkombëtar”.

Pas ndotjes së ajrit, ndotja e ujit ishte kërcënimi i radhës më fatal, duke shkaktuar 1.36 milionë vdekje të parakohshme në vitin 2019. Në radhë ishte ndotja nga plumbi, e ndjekur nga “rreziqet toksike në punë”.

Studimi bazohet në një raport të vitit 2015 nga i njëjti komision, duke u mbështetur në të dhënat nga Studimi i Barrës Globale të Sëmundjeve, një përpjekje ndërkombëtare bashkëpunuese e bazuar në Institutin për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit.

Në katër vitet ndërmjet, ndikimi vdekjeprurës që ka ndotja në botë nuk u përmirësua – duke e bërë atë faktorin më të madh të rrezikut mjedisor për sëmundjet dhe vdekjet e parakohshme, shtoi studimi. Mungesa e politikës adekuate kombëtare ose ndërkombëtare kimike ka përkeqësuar vdekjet.

Më shumë se 90% e vdekjeve kanë ndodhur në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme të paaftë për ta bërë ndotjen prioritet, si India dhe Nigeria, sipas studimit. Vendet me të ardhura të larta, ndërkohë, kishin kontrolluar format më të këqija të ndotjes, thuhet në studim.