Sipas një hulumtimi, koronavirusi mund ta sulmojë edhe zemrën e jo vetëm mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes.
Mjekët që i kanë vëzhguar pacientët me koronavirus që nga ditët e para të përhapjes kanë vërtetuar se personat me sëmundje të tjera vuajnë më shumë nga koronavirusi.
Megjithatë, tash ata kanë filluar të dyshojnë se vetëm koronavirusi ose ndërkilikimet që i shkakton ai mund ta dëmtojnë muskulin e zemrës.
Dëshmia e parë se virusi mund të jetë i rrezikshëm për zemrën ka ardhur nga Kina, vendi ku u shënuan rastet e para.
Gati 20 për qind e 416 pacientëve me koronavirus gjatë një hulumtimi kishin shenja të dëmtimit të zemrës, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Më shumë se gjysma e pacientëve që kishin dëmtime në zemër vdiqën përderisa ishin të diagnostikuar me koronavirus, ndërsa në mesin e atyre që nuk kishin probleme në zemër, vdiqën vetëm 4.5 për qind.
Një gjetje shqetësuese ishte fakti se personat që më parë nuk kishin probleme shëndetësore u prekën nga dëmtimet në zemër gjatë kohës sa ishin të infektuar me koronavirus.
Dr. Robert Bonow, profesor i kardiologjisë në Unviersitetin Veriperëndimor, tha se koronavirusi mund ta sulmojë zemrën në një mënyrë ose në forma të kombinuara.
“Gjatë inflamacionit të rëndë, sulmi në zemër ndodh për shkak të pllakave koronare, të cilat bëhen të paqëndrueshme dhe i bllokojnë arteriet”, tha ai.
Kur koronavirusi futet në qelizat e arterieve të gjakut, mikrogrimcat mund të nxisin ngjizje të tepruar dhe kjo mund të sjellë sulm në zemër.