Në Rusi po ndërtohet një tempull i veçantë për të gjitha llojet e feve. Në majën e ndërtesës janë vendosur simbolet e të gjitha feve, përfshirë të të krishterëve ortodoksë, budizimit, judaizmit dhe islamit. Tempulli është ide e një personi që thotë se ka takuar Jezu Krishtin.
Me të drejtë, ky quhet “Tempulli i të gjitha feve” – ai është xhami, kishë ortodokse, sinangogë e më tepër, të gjitha të kombinuara nën një çati. Tempulli, që synon të promovojë mirëkuptimin ndërfetar, ndodhet në qytetin e Kazanit, 800 kilometra në jugperëndim të Moskës.
Puna për ndërtimin e tempullit filloi në vitin 1992, pasi një arkitekt lokal, gjithashtu filantropist dhe me aftësi shëruese, i quajtur Ildar Khanov, tha se kishte shkuar ta takonte Jezu Krishti. Khanov vdiq në vitin 2013 dhe vëllai i tij, Ilgiz, ka marrë përsipër detyrën për ta përfunduar ndërtesën.
“Jezu Krishti iu shfaq vëllait tim dhe i tha të fillojë gërmimin e bazës së tempullit. Vëllai i tha se nuk kishte para ta bënte këtë. Por Krishti i tha që ta fillonte punën dhe do të shihte ç’do të ndodhte; rezultati është ky tempull”, thotë Ilgis Kahnov, raporton VOA.
Struktura reflekton stilet arkitekturore të feve të ndryshme dhe përfshin besime që nuk praktikohen më, si ato të Egjiptit të lashtë, thotë menaxheri i tempullit, Farid Khairillin.
“Njerëzit vijnë këtu, sepse është vend i pazakontë. Nuk ekziston një tempull tjetër si ky në botë”, thotë Farid.
Donacionet nga vizitorët ndihmojnë për financimin e projektit. Ky vizitor është nga Indonezia, vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë.
“Nuk kemi pse të ndjehemi ndryshe nga njëri tjetri, në se i përkasim feve të ndryshme. Ky vend më tregoi se duhet ta tolerojmë njëri tjetrin”, thotë vizitori nga Indonezia.
Nadezhda Yusupova vizitoi dhomën e Budizmit.
“Këtu ka një energji që të qetëson dhe të lumturon. Njerëzit vijnë këtu për të marrë energji pozitive dhe për ta çuar gëzimin në shtëpitë e tyre, madje edhe për të përmirësuar jetën”, thotë ajo.
Tempulli nuk është projektuar për t’u përdorur për shërbime fetare, por siç e përshkruan atë krijuesi i tij, për të shërbyer si tempull i kulturës dhe i së vërtetës.