Fjalë Kyçe

Njeriu i besuar i Merkelit merr drejtimin e CDU-së, humb ‘Trumpi gjerman’

Njeriu i besuar i Merkelit merr drejtimin e CDU-së, humb ‘Trumpi gjerman’

Armin Laschet është kryetari i ri i partisë së kancelares Merkel, Unioni Kristian-demokrat.

Ai u zgjodh me 521 vota të delegatëve. Kandidati tjetër, Friedrich Merz, i cili nga disa quhej “Trumpi gjerman”, humbi në balotazh.

Laschet nga viti 2017 ka shërbyer si kryeministër rajonal i rajonit me popullsinë më të madhe në Gjermani, Nordrhein-Westfalen, shkruan Deutsche Welle, transmeton Gazeta Express.

Në fjalimin e tij para procesit të votimit, ai e theksoi rëndësinë e unitetit. “CDU-ja nuk ka nevojë për një shef ekzekutiv që ta udhëheqë atë, por për një kapiten të ekipit që do t’i prijë rrugës dhe ta mbajë partinë të bashkuar”, tha ai.

Laschet ka qenë një nga nënkryetarët e CDU-së që nga viti 2012. Ai gjatë tërë kohës ka qenë partner i besueshëm i Angela Merkel.

Ai në vitin 2019 formoi një aleancë me ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn. Vetëm disa ditë para votimit të kryetarit të ri të partisë, ata publikuan një program 10-pikësh. Ata thanë se synojnë që këtë dekadë ta bëjnë dekadë të modernizimit për Gjermaninë.

Gazeta Express disa ditë më parë raportoi për kandidatin tjetër që e humbi këtë garë, Friedrich Merz, figurë që ka qëndrime kundërthënëse dhe dallime të mëdha me Merkelin dhe aleatin e saj, Laschet. Gazeta Politico vitin e kaluar e cilësoi atë si “Trumpi gjerman”.