Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka deklaruar se parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës janë që norma e rritjes ekonomike për sivjet të jetë 6.6 përqind.
Ekonomisti Safet Gërxhaliu thotë për Klankosova.tv se kalkulimi i rritjes ekonomike bazuar vetëm në konsum nuk është i mjaftueshëm, sepse sipas tij vendi ka nevojë për rritje substanciale.
Ai vlerëson se merita më e madhe për rritjen e këtij indikatori është diaspora, por që thekson vendit i duhet rritje bazuar në shumë faktorë.
“Kosovës i duhen investime të huaja direkte, i duhet përmirësimi i bilancit së pagesave, i duhet kontraktim i punëve të kompanive vendore në vende të ndryshme, i duhet stabiliteti politik, i duhet sundimi i rendit dhe i ligjit…”, pohon ai.
Tutje Gërxhaliu shpjegon se shumë më mirë është të ketë rritje dy apo tre përqind, bazuar në shumë indikatorë, sesa të thuhet që ka shtatë apo tetë përqind bazuar në konsum dhe ky sipas tij duhet të jetë orientimi i qeverisë.
“Kur importohet aq shumë dhe shndërrohet shteti në shtet të varur nga importi, importohet inflacion, këtë më së miri e dinë qytetarët e Kosovës, sepse atë që e kanë blerë para dy viteve, sot nuk mund ta blejnë as 50 përqind të asaj sasie”.
Kurse njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, deklaron për Klankosova.tv se është herët të flitet për rritje ekonomike.
“Kosova nuk e ka komoditetin për këtë, sepse sikur te investimi edhe te punësimi jemi shumë keq”.
“Rritja ekonomike më shumë ndikohet nga investimet dhe investimet në këtë kohë lënë shumë për të dëshiruar, sepse Kosova dhe gjithë rajoni nuk është në favor që të kemi investime ashtu serioze për të reflektuar në rritje ekonomike, sepse efekti i kërkesës te rritja ekonomike është jashtëzakonisht i madh”, thekson ai.
Kurse sipas Kadrijaj deklarimi i kryeministrit Albin Kurtit, se rritja ekonomike do të jetë 7.9 përqind, është shumë subjektiv dhe ambicioz, por që në realitet treguesit ekonomikë janë larg një rritjeje të tillë ekonomike.