Sivjet, më 11 maj, Dua Lipa mori çmimin për albumin më të mirë britanik me “Future Nostalgia” dhe atë për artisten më të mirë. Me dy çmimet e asaj nate ajo tashmë numëron pesë “Brit Awards”
Dua Lipa tashmë është bërë emër i pashmangshëm i ceremonive prestigjioze. Do të jetë edhe sivjet në ndarjen e çmimeve “Brit Awards”. Ajo është në mesin e të nominuarve për çmimet “Song of the Year” (Kënga e vitit) me këngën “Cold Heart” bashkë me këngëtarin Elton John e po ashtu edhe në kategorinë “Best pop/R&B”.
Sa i përket “Best pop/R&B” është në garë me Adele, Ed Sheeran, Advertisement, Griff dhe Joy Crookes. E në maj të këtij viti u bë ndarja e çmimeve më të mëdha britanike për vitin 2019 në muzikë, Lipa ishte ylli i mbrëmjes. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 8 shkurt.
“Kjo ishte Dua Lipa – mbretëresha juaj”, kishte thënë komediani britanik, Jack Whitehall, krejt në fund të edicionit të 41-të të “Brit Awards”. Këtë epitet ia kishte dhënë yllit nga Kosova pasi ajo ishte artistja më e shpërblyer në ceremoninë më të madhe britanike të industrisë muzikore. Jo pak mesazhe dha teksa pranoi trofetë. Ajo mori çmimin për albumin më të mirë britanik me “Future Nostalgia” dhe atë për artisten më të mirë. Me dy çmimet e asaj nate ajo tashmë numëron pesë “Brit Awards”. Njëkohësisht vërteton edhe pozitën e saj në mesin e artisteve më të rëndësishme të zhanrit pop. Lipa për herë të parë u shpërblye në këtë ceremoni në vitin 2018, kur mori çmimin si këngëtarja më e mirë solo dhe artistja më e re që depërtoi në skenë. Një vit më pas ajo mori përsëri çmimin për këngën më të mirë me “One Kiss”. Ceremonia në të cilën Lipa – e cila fëmijërinë e kaloi në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë – u cilësua si ndryshim i rrjedhës, u dominua nga diversiteti e artistet. Por Lipa nuk po e përmbyll këtë vit vetëm me nominimet për “Brit Awards”. Muajin e kaluar ajo është nderuar nga Këshilli Atlantik. Këngëtarja me famë botërore në paraqitjen e saj të fundit në Këshillin Atlantik më 11 nëntor dha mesazhet e një intelektualeje, politikaneje, avokueseje e të drejtave të njerëzve duke përdorur sharmin e saj si artiste me nam.
Këshilli Atlantik, duke marrë parasysh ngritjet dhe uljet e shumta të këtij viti – një rikuperim i pabarabartë i pandemisë, arritjet dhe pengesat për demokracitë në mbarë botën – kishte vendosur që t’i nderojë ata që kanë ndihmuar në progres dhe në stabilitet në kohë të trazuara.
Ky ishte qëllimi edhe i ndarjes së Çmimit për Lidership të Dalluar (DLA) në “Mellon Auditorium”, ku u nderuan Ursula von der Leyen, Albert Bourla, Özlem Türeci, Ugur Sahin dhe Dua Lipa. Për fituesen e çmimit “Grammy”, Dua Lipa, Këshilli ka theksuar se ajo ka përdorur fuqinë e saj si një yll botëror për të ngritur vendlindjen e të parëve të saj, Kosovën, nga varfëria e pasluftës duke ngjallur shpresë te një brez i tërë.
Lipa nisi fjalimin e saj duke falënderuar Këshillin Atlantik si një mik i madh i Kosovës dhe duke theksuar se është nder për të për të festuar së bashku përvjetorin e 60-të.
Lipa ka thënë se ajo flet para tyre si një fëmijë i Kosovës që u lind dhe u rrit në Mbretërinë e Bashkuar, gjersa ka potencuar se është aty si mysafire e Shteteve të Bashkuara.
“Unë vij nga një vend për të cilin shumica prej jush do të keni dëgjuar, por ndoshta jo në mënyrën se si do ta përshkruaj. Dua të ndaj me ju pak gjëra për Kosovën time. Kosovarëve u pëlqen të festojnë, gjë që ndoshta nuk është befasi, pasi 50 për qind e popullsisë është nën njëzet e pesë vjeç”, ka thënë ajo. Ka përmendur edhe potencialin e vendit. “Si një vend i vogël, Kosova është duke shpërthyer me kreativitet dhe kam shumë shembuj, por po i përmend vetëm disa. ‘Zgjoi’, një film i bukur kosovar, fitoi tri çmime kryesore në edicionin e sivjetmë të ‘Sundance’. Mbajeni atë në mendje kur flasim për ‘Oscars’”, ka thënë ajo gjersa ka treguar se Prishtina do të jetë nikoqire e “Manifestas” vitin e ardhshëm, e që, siç ka thënë ajo, do ta mbushë qytetin me ekspozita dhe instalacione arti.