Ky është momenti pikëllues kur një vajzë migrante e hipin në një varkë bashkë me babanë e saj për të kapërcyer Kanalin Anglez në Calais, derisa dëgjohet duke bërtitur me lot në sy: ‘Nuk dua të shkoj, babi.’
Skena tronditëse u kap fshehtas natën nga një ekip i ITV-së që po heton kalimet e migrantëve në plazhin e Bleriot për një dokumentar të ri që shfaqet këtë javë.
Gazetarët e maskuar gjithashtu u takuan ballë për ballë me anëtarët e bandës në Francë të cilët ofruan t’i dërgonin në Britani të Madhe për 3500 euro secili.
Dokumentari zbuloi gjithashtu fytyrat e ndërmjetësve me qendër në Londër të cilët mbajnë para për kontrabandistët që përpiqen të ndihmojnë migrantët të kapërcejnë Kanalin.
Ndërmjetësit, një me qendër në një zyrë në Londrën Perëndimore dhe një tjetër në një këmbimore të valutave në kryeqytet, shfaqen në emisionin ‘Gjuetia e kontrabandistëve të njerëzve’.
Në një hetim gjashtëmujor, gazetarët u infiltruan brenda bandave duke mësuar se bëhet fjalë për fitime të mëdha nga rreth 7,173 migrantë që kanë ardhur tashmë në Britani me anije të vogla këtë vit.
Ekipi i gazetarëve zbuloi rregullat financiare të bandave si dhe metodat e kalimeve që kryesisht bëheshin në mesnatë për të shmangur policinë franceze.
Ata gjithashtu zbuluan se migrantët duhej të udhëtonin në det me gomone të lehta në det të trazuar dhe të ftohtë.
Për më tepër, gazetarët zbuluan se për të kapërcyer Kanalin, migrantët zakonisht duhet së pari të paguanin një ndërmjetës në Londër.
Gazetarët e fshehtë u takuan me një ndërmjetës të quajtur Akbar Amery në një zyrë në Londrën Perëndimore, ku ai shpjegoi se ishte përgjegjës për marrjen e ‘garancisë’ në emër të kontrabanduesit.
Ai tha: ‘Ju më paguani me para në dorë ose mund t’i vendosni edhe në llogari bankare, dhe pastaj unë do ta konfirmoj me të, emrin e personit, dhe pastaj së shpejti personi vjen dhe pas një ose dy ditësh ti e di që pala është në token britanike dhe kaq,- përfundoi’.
Amery thotë se i mban paratë derisa të përfundojë kalimi. Ai thotë se nëse pala nuk mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar, atëherë i kthejnë paratë, dhe e njëjta vlen nëse pala e anulon udhëtimin, që duket se është e njohur si një ‘lojë’ nga kontrabandistët.
Ai gjithashtu u tha gazetarëve se siguria ishte thelbësore. Ai pretendon se vetëm ‘një zonjë e vjetër iraniane’ kishte vdekur gjatë një kalimi.
Ministria e Brendshme ka konfirmuar këtë javë se pesë persona dihet se kanë vdekur duke kaluar Kanalin me varka të vogla që nga viti 2018.
Ekipi sekret i gazetarëve më vonë gjeti një ndërmjetës tjetër në Londër, i cili pranoi se punonte me disa kontrabandistë në Calais.
Mohammed Meehan thotë se puna më e vështirë është ndarja e fitimeve mes bandave.
‘Ata vijnë këtu çdo javë dhe bëjnë llogaritjet e tyre. Nëse nuk jeni të kujdesshëm dhe i ngatërroni njerëzit dhe kontrabandistët bëhet vërtet keq.
Ministria e Brendshme i tha televizionit se është e vendosur të rregullojë atë që thuhet se është një sistem i brishtë i azilit që u mundëson kriminelëve të organizuar të fitojnë në kurriz të nevojtarëve.
Zyrtarët qeveritarë gjithashtu thonë se po prezantojnë një sistem të ri azili i cili do të jetë më i drejtë dhe më i favorshëm, duke mirëpritur njerëzit përmes rrugëve të sigurta dhe ligjore./Gazeta Alo