Qytetarët e Kosovës ka pak gjasa që këtë vit t’i shpëtojnë rritjes së energjisë elektrike që do të reflektojë në faturat e energjisë.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur në diskutim publik draft-dokumentin për vendosjen e obligimit të shërbimit publik për siguri të furnizimit, raporton KTV.
Ky dokument i obligon të gjithë furnizuesit e energjisë që të paguajnë te Ndërmarrja e Re Elektrike e Kosovës, tarifën për sigurim të energjisë.
Sipas shoqërisë civile, siguria e furnizimit është e drejtë e secilit qytetar, e cila nuk duhet taksuar dhe e njëjtat po bëhet me qëllim të fitimit të kompanisë Contour Global.
Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë nuk kanë pranuar të japin deklaratë me arsyetimin se dokumenti është ende në fazën e diskutimeve publike.
Megjithëkëtë, i njëjti draft nuk tregon planin se sa planifikohet të jetë tarifa e sigurisë.
Madje, as kur do të nisë faturimi i saj.
Praktikat e tilla të zbatimit të tarifës së sigurisë, sipas Dardan Abazit nga INDEP, përdoren edhe në Evropë.
Por, Abazi thotë se e njëjta nuk mund të përdoret në rastet e monopolit, ku ndërmarrja e re së cilës i paguhet tarifa, energjinë elektrike e blen vetëm nga “Kosova e Re”.
Reagimet e para kanë ardhur menjëherë edhe nga subjektet politike.
Deputeti Dardan Sejdiu nga PSD, njëherësh anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka kundërshtuar tarifën.